Gazetaret Klodiana Lala ka bërë një bilanc të punës së SPAK për vitin 2024. Lala përmendi rastet në goditjen e krimit të organizuar. Ajo deklaroi se SPAK ka kërkuar informacion për dy politikanë socialistë që dyshohet se kanë përdorur SKY ECC.
‘Prokuroria dhe SPAK kanë patur sukses në goditjen e krimit të organizuar. Siç janë Metamorfoza me grupin kriminal Bajri, Plarent Dervishaj te banda e Durrësit, Durim Bami i konsideruar si i forti i Niklës, Arben Ndoka ish-deputet socialist, organizata kriminale e Suel Çelës me lidhje të forta me të gjitha qelizat e qeverisë, Elton Reçi i një grupi kriminal në veri të vendit; grupi i Troplinëve në Shkozet; Aleksandër Laho ose i njohur si Rrumi i Shijakut; Çopja-Alibeaj në qytetin e Elbasanit, por që e kanë patur aktivitetin jashtë. Ke edhe goditjen e Jurgis Çyrbjas.
Në të gjitha këto raste që unë ju përmenda direkt apo indirekt mund të përfliten politikanë. SPAK sa i përket SKY ECC ka mbajtur këtë qëndrim: deri tani ka dërguar për akuzë zyrtare ose ka firmosur masa sigurie për ata që kanë përdorur direkt aplikacionin dhe të dhënat e përftuara janë përputhur me të dhëna dhe prova të tjera. Është rasti Çyrbja, janë kërkuar kodet. Në dijeninë time, nuk mund të them emra për shkak të sekretit hetimor, kanë kërkuar të dhëna për dyshime, se të paktën dy politikanë mund ta kenë përdorur. Është kërkuar informacion në Francë përmes letër-porosive nëse janë ata sepse duhet bërë identifikimi, janë socialistë.’, tha Lala.