Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Artan Gaçit, burrit të Olta Xhaçkës për heqje të sekuestros së pronës së dyshuar të falsifikuar me një sipërfaqe prej 5512 metër katror e ndodhur në Gjilekë të Himarës.
Gjyqtari Erjon Çela nuk ka pranuar kërkesën e Gaçit ku sipërfaqen e tokës së tij e kishte në emër të kompanisë nën zotërim AG.TCC Shpk.
Kjo sipërfaqe toke dyshohet se u përfitua nga dokumentet e falsifikuara ku prej këtij përfitimi Artan Gaçi fitoi statusin e investitorit strategjik.
Sipas SPAK, ish kryetari i komanduar i Himarës Jorgo Goro në bashkëpunim dhe me zyrtarë të asaj kohe, 5512 m2 tokë bujqësore me dokumente të falsifikuara e kanë tjetërsuar nga tokë shteti në tokë private, e konkretisht në pronësi të Foto Mëhillit i cili ishte i ati i Stavri Mëhilli.
Pikërisht kalimi i pronës tek Stavri Mehilli, i dha këtij të fundit të drejtën edhe për ta shitur ku nga hetimet ka rezultuar se 10 ditë më pas pikërisht më 25 shkurt në llogarinë e Stavri Mëhillit kanë kaluar 12,677,600 lekë nga “AGTTC Hotel Management” kompani kjo në emër të Artan Gaçit.
Nga të dhënat e siguruara rezulton që Stavro Mëhilli e ka shitur 12,677,600 lekë sipas kontratës nga të cilat kësti i parë në vlerën 3.000.000 lekë është likuiduar në datë 25.07.2019, nëpërmjet një transaksioni bankar dhe kësti i dytë në vlerën 9.677.600 lekë është likuiduar në datë 25.02.2020.
Aktualisht prona figuron e regjistruar ne emër/pronësi të shoqërisë “AG. TCC” shpk shprehet SPAK.
Po ashtu më 28 mars 2024, Gjykata e Posaçme ka vënë nën sekuestro dhe sipërfaqen tjetër prej 5080 metra katror e cila rezulton në kufi me sipërfaqen tjetër prej 5512 m2.