Gjykata e Apelit të Posaçëm (GJKKO) ka lënë nën sekuestro vilën e deputetes së PL, Monika Kryemadhi por i ka kthyer atë që është në pronësi të nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Një ditë më parë, deputetja ankimoi vendimin për sekuestron për dy vilat, të ndodhura në rezidencën Kodra e Diellit në Tiranë.
Ishte vetë Kryemadhi, e cila pas daljes nga GJKKO deklaroi se ishte hequr sekuestro ndaj shtëpisë e cila është në emër të mamasë së saj.
Ajo shtoi se prokurorët ngritën si arsye bashkëpunimin e Fatime Kryemadhit me Ilir Metën, për çështjen e Dritan Priftin. Ndërkohë, për çështjen që lidhet me “Cez Dia”, Kryemadhi argumentoi se nuk ka koherencë në akuzat e ngritura, duke theksuar se për këtë çështje është bërë sekuestro për një grua me ekspertizë financiare, një veprim që e cilësoi “absurd”.
“Prokurori e pranoi që banesat ku unë banoj janë përfituar në mënyrë të ligjshme, gjyqtarja për mamanë time që cila akuzohej se kishte marrë një kredi në 2010 ia liroi banesën e saj, ndërsa për mua vazhdon të jetë nën sekuestro, do e apeloj, unë jam bashkëpunëtore në inceneratorin e Tiranës, është hakmarrje, unë dhe mamaja, unë e kam marrë me shkëmbim apartamentin tim, një shtëpi në bllok është marrë me kredi. Vetëm lexoi vendim të shkurtuar, prokurorët ngritën arsyet e bashkëpunimit të mamasë sime me ilir metën për korrupsion , që nga video e Dritan Priftit, ka bashkëpunuar për të blerë banesën, do bëj rekurs në gjykatë të lartë. Unë kam jetuar gjithmonë me nënën time, kur kam ngelur shtatzënë me vajzën, ishim si dy të rinj që çfarë fluturon hahet. Më pas m’u sëmur babai. Kemi jetuar bashkë që nga ‘98-a”, tha ajo.
Sipas SPAK, masa e sekuestros vjen pas hetimeve të nisura ndaj çiftit Meta Kryemadhi që akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.