Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zyrtarizoi sot mbylljen e fazës së parë të procesit të Vettingu. Sot u mbajt një aktivitet i gjerë, ku morën pjesë personalitete vendas dhe të huaj, si e dërguara e SHBA, ambasadori i BE, kreu i SPAK, etj. Ata e konsideruan si proces të suksesshëm, ndonëse ka pasur ulje-ngritje, akuza dhe shumë debate se si ka ecur procesi i rivlerësimit.
Por cili është bilanci i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit? Sipas statistikave, nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 31 tetor 2024, KPK ka dhënë 799 vendime, nga të cilat: 369 vendime konfirmim në detyrë për 165 gjyqtarë, 166 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 34 ndihmës/këshilltarë ligjorë dhe 267 vendime për shkarkim nga detyra për 146 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL, 115 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë.
Ndërkohë kemi 105 vendime për ndërprerje procesi me dorëheqje (neni G i Aneksit të Kushtetutës) për 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ish- prokuror, 14 ndihmës ligjorë, 1 ish-inspektorë në KLD. Pra, në total kemi 372 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë dala nga sistemi nga vetingu.
Po ashtu KPK ka dhënë 8 vendime për pushimin e procesit për 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë (neni 56 i ligjit nr. 84/2016); 48 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar për 25 gjyqtarë, 17 prokurorë, 1 ish-kryeinspektor në KLD dhe 2 ish-inspektor në KLD dhe 3 ndihmës ligjor (neni 95 i Kodit të Procedurave Administrative dhe neni 64 i ligjit nr. 96/2016) dhe 2 vendime për pezullimin nga detyra për 2 prokurorë.
Por ku janë sot afro 400 emrat që kanë dalë nga sistemi?
Pjesa më e madhe e tyre kanë përfunduar avokatë. Afro 90 për qind e tyre kanë marrë licenca avokati. Një pjesë janë vetë avokatë dhe ndjekin proceset në gjyqe, ndërsa një pjesë tjetër kanë hapur zyra avokatie dhe kanë punësuar kolegë të tyre dhe avokatë të rinj.
Ndërkohë një pjesë tjetër janë punësuar pranë Shkollës së Magjistraturës dhe madje ndërkombëtarët e kanë ngritur si shqetësim këtë fakt, pasi nuk ka se si ata që janë përjashtuar nga sistemi të edukojnë magjistratët e rinj dhe një pjesë shumë e vogël kanë përfunduar juristë nëpër institucione publike apo dhe private.
Elementi tjetër që kanë kërkuar ndërkombëtarët është hetimi i atyre emrave që kanë ngelur për shkak të pasurisë së pa justifikuar. SPAK ka hetuar disa ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Kemi ish-kreun e Kushtetueses Bashkim Dedja të dënuar. Ndërkohë emrat që kanë qenë në shkallët e tjera nuk janë hetuar deri më sot sepse nuk hyjnë në kompetencat e SPAK.