Pas goditjes që iu bë bandës “Çela”, SPAK ka skeduar një tjetër bandë në zyrat e shtetit në Elbasan, që kryen aktivitet kriminal, ekonomik e financiar me tenderët, taksat e pasuritë. Kjo bandë përbëhet nga drejtues lokal, të cilët janë në vartësi e shërbim të interesave të Suel Çelës.
Kjo bandë në Elbasan, është në Bashki e drejtuar nga zv/kryetarja Aulona Bylykbashi; nga Drejtori i Kadastrës, Adi Qose dhe Drejtori i Ujësjellësit, Luan Tabaku.
Prej 11 vitesh, është bërë “ligj” në Bashkinë e Elbasanit, që tenderët, lejet e ndërtimit, legalizimet, shitjet apo dhëniet e pasurive me qira dhe emërimet në postet kryesore, paraprakisht kanë kaluar te Suel Çela, për të përcaktuar përfituesit e tyre.
Urdhërin për t’iu bindur Suel Çelës e ka dhënë kryebashkiaku Gledjan Llatja, duke vazhduar praktikën e nënshtrimit të ish-kryetarit Qazim Sejdini ndaj tij, por dhe Llatja është bërë kryetar me votat që i ka grumbulluar banda e Suelit e ndaj u qëndron “gati-tu”.
Ndërsa kontaktin me Suel Çelën e ka mbajtur zv/kryetarja Aulona Bylykbashi, e njohur si “ustallesha e pazareve” në Bashkinë e Elbasanit, vërtetuar dhe nga provat që SPAK zbuloi në telefonin e saj, të sekuestruar në datën 4 maj 2024, në kuadër të hetimit të bandës “Çela”.
Sipas të dhënave, Llatja e Bylykbashi, kanë firmosur 87 ha pyje, objekte, faljen e 1.4 milionë Euro taksa e tarifa vendore dhe 21 milionë Euro tenderë, për bizneset e familjes së Suel Çelës, të anëtarëve të tjerë të bandës dhe bisneseve që paguanin pjesën.
Por dhe për biznesmenë të lidhur me ta si Nazif Bajrami, e sidomos Bujar Shega, pronar i kompanive “Viola Green” dhe “Wonder Green”, i arrestuar nga SPAK si truri i pastrimit të parave të drogës, kontrabandës e vrasjeve me pagesë, si dhe ortak me babain Kryetarit të Bashkisë Berat, njëkohësisht Drejtues Politik i Qarkut Berat, Ervin Demo.
Mjafton që SPAK të kontrollojë tenderët, kontratat e qirave dhe shitjet e pasurive, dhe do zbulojë krimet ekonomike e financiare që janë bërë në Bashkinë e Elbasanit, të dirigjuara nga Aulona Bylykbashi, prej 11 vitesh Sekretare e Përgjithshme dhe zv/kryetare në këtë bashki.
Në media të ndryshme flitet se vetëm për legalizimin e lokalit “Truth Bar-Pub” në qendër të bulevardit kryesor të Elbasanit në pronësi të Mateos Toçit, Vahit Sulës e Sulejman Canit, që kanë zaptuar dhe mjediset publike; Bylykbashi ka marrë 50 mijë Euro ryshfet dhe e ka përjashtuar për 10 vite nga taksat lokale, me justifikimin se ka punësuar të rinj.
Brenda kësaj bande të pushtetit lokal që varet dhe përdoret nga Suel Çela, është Drejtori i Kadastrës, Adi Qose, i cili e ka tjetërsuar këtë agjenci në qendër korrupsioni e vjedhjesh të pasurive, me falsifikim e zhdukje të fletëve në regjistra, planimetrive, pronarëve e sipërfaqeve.
Deri në vitin 2019, Adi Qose ishte Shef i Taskë-Forcës së Transportit dhe drejtor kontrolli në Ministrinë e Infrastrukturës, në varësi të Gledian Llatjes kur ishte Drejtor Kabineti, ndërsa në vitin 2020, Llatja e mori me vete duke e emëruar Shef Kabineti e Zv/kryetar të Bashkisë.
Pas nisjes së hetimit nga SPAK, Adi Qose u dërgua Drejtor i Transportit Rrugor në Elbasan; ku ka bërë batërdinë, madje ka regjistruar makina të vjedhura e kontrabanduara, ka ndryshuar të dhëna e ka zhdukur dosje makinash të përdoruara në krime.
Në datën 3 nëntor 2023, pas raporteve të SHISH e Anti-krimit dërguar prokurorisë e SPAK-ut; banda “Çela” e transferoi Adi Qosen, Drejtor të Kadastrës- Elbasan, ku vazhdon të jetë akoma në shërbim të krimit, korrupsionit etj.
Anëtar tjetër i bandës është Luan Tabaku administrator i Ujësjellësit Rajonal-Elbasan, që ka në vartësi dhe ujësjellësit në Librazhd, Peqin, Cërrik, Gramsh e Belsh, emëruar më 19 shtator 2022; por sipas dosjes së SPAK, është ai që Suel Çela e kishte planifikuar drejtor spitali.
Para kësaj detyre, ka qenë Zv/drejtor i Kadastrës së Elbasanit, ndërsa anëtar bordi në ujësjëllës është dhe Adi Qose i kadastrës, ku së bashku po bëjnë batërdinë në vjedhje.
Saktësojmë, se sipas dosjes hetimore të prokurorisë, drejtori Luan Tabaku, ka qenë pjesë e bandës së votave të PS në Elbasan, që u përlesh me bandën e PD më 21 prill 2021, ku u vra Pjerin Xhuvani.