Rasti Dogjani, dëshmi se si ILDKP mbyll sytë përpara milionerëve në Parlament…
Prokuroria e Posaçme ka dërguar sot për gjykim deputetin demokrat Asllan Dogjani, pasi akuzohet për fshehje pasurie.
Sipas SPAK, më datë 24 Mars 2010, Dogjani ka shënuar në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2 në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen. Në mbështetje të këtij deklarimi, ai ka paraqitur një kontratë të datës 6 dhjetor 2006.
Ndryshe nga sa ka deklaruar Dogjani, nga hetimet ka rezultuar se ai është bërë pronari i këtij apartamenti bazuar në një kontratë të shtatorit 2006, ku parashikohej se vlera e banesës do të ishte 121 mijë e 980 euro, shumë të cilën ia ka likuiduar shoqërisë përmes pagesave cash.
Prokuroria thotë se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti.
Por ky rast është lemeritës sa i takon punës së ILDKP. Qytetarët shqiptarë paguajnë taksa për rrogat mijëra dollarëshe të kryetares së ILDKP dhe të inspektorëve, në mënyrë që ata të zbulojnë se kush ka fshehur pasurinë dhe kush jo.
ILDKP gjobit vetëm ata që vonojnë deklaratat, ndërkohë që nuk ka zbuluar qoftë edhe një shkelje për njerëz të nivelit më të lartë. Këtë fshehje pasurie që ka zbuluar SPAK te Dogjani, duhej ta bënte ILDKP. Është shumë e lehtë të zbulohet që nuk përputhet data e kontratës. Për këtë punë paguhen inspektorët.
Ndërkohë që vetë SPAK, pas një indicie nga një komshi i Dogjanit, ka marrë deklaratën nga ILDKP dhe ka bërë verifikimet. Pra nëse nuk do ishte ai sinjalizim, Dogjani nuk do ishte sot i akuzuar dhe ILDKP as nuk do të merrte guximin të verifikonte se si e gjeti këtë apartament ky deputet.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe me disa raste të tjera. SPAK po heton Luan Baçin, Flamur Nokën dhe disa zyrtarë të tjerë. Situata është e ngjashme. Nëse ILDKP do e bënte si duhet detyrën, do t’i kishte zbuluar në kohë shkeljet.
Nëse shohim deklarimet që deputetët bëjnë në ILDKP, duket qartë se kush i ka me djersë pasuritë dhe kush jo. Ilir Meta dhe Argita Malltezi deklaronin pafund vila dhe ILDKP nuk u kujtua njëherë të verifikonte kontratat.
E njëjta gjë për ministra e deputetë që kur kanë hyrë në politikë kanë pasur nga një apartament dhe “Golf 4”, sot janë me vila e “Range Rover”. Sipas burimeve, prokuroria ka tërhequr nga ILDKP afro 40 dosje për pasuritë e pushtetarëve. Që do të thotë se do kemi të tjerë emra në lak.