Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ka shkundur sërish politikën. Pas mesazheve të pak ditëve më parë, ai sot ja u ka bërë sërish të qartë se kushdo që ka futur duart në xhepat e qytetarëve apo ka shkelur ligjin, do të mbajë përgjegjësi.
Deklarata e tij u bë në Kuvend dhe si për ironi të fatit, Dumani ishte ulur te vendet ku qëndrojnë ministrat, pasi po zhvillohet takimi i Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Europës, me temë “Veprimet gjithëpërfshirëse në luftën ndaj korrupsioni”.
“SPAK është në vijën e parë të kësaj lufte, duke ndjekur një qasje të bazuar në transparencë bashkëpunim ndërkombëtar dhe rezultate konkrete. Pavarësia institucioneve, kapacitet njerëzore dhe teknike kanë dhënë rezultate premtuese që janë përkthyer në çështje konkrete“, tha ai.
Ai bëri një deklaratë të fortë, pasi tha se shumë zyrtarë janë të lidhur kokë e këmbë me krimin.
“Një shtyllë e sukesesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtarë, si në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Pasi thuajse në të gjitha raste e hetimeve ku në fokus ka qenë krimi i organizuar, kemi gjetur lidhje me zyrtarë të niveleve të ndryshme, të cilët janë korruptuar ose janë bërë dhe pjesë e grupeve të krimit të organizuar”, tha ai.