Nga 18 urdhër arreste janë ekzekutuar vetëm disa prej tyre, ku në mesin e të arrestuarve, është Marsel alias Bujar Shega, administrator i dy kompanive Viola Green dhe Wonder Green, i cili ka lidhje me Suel Çelën.
Kompanitë e tij, kanë fituar tendera për pastrimin e disa qyteteve dhe Shega njihet për njohje dhe lidhje të forta në politikë.
Përmes kompanive të tij, dyshohet se Shega pastronte paratë e disa grupeve, përfshirë dhe të një grupi të fuqishëm më bazë në Dubai, që ka investuar në Tiranë në pasuri të paluajtshme.
Ndërkohë Suel Çela një prej emrave më të njohur të botës së krimit, i shpallur me herët në kërkim në kuadër të operacionit Plumbi i Artë.
Në bazat dhe bizneset e të shumëkërkuarit në Elbasan është ushtruar kontroll ku janë marrë dokumenta dhe prova të tjera.
Ortak me babain e Ervin Demos
Bujar Shega është ortak me 34 për qind të aksioneve në kompaninë Viola Green së bashku me Fatos Jaupin dhe Sherif Kapllanin. Kjo kompani fillimisht është themeluar nga Zehni Demo, babai i kryetarit të Bashkisë së Beratit, Ervin Demo dhe është një nga përfitueset më të mëdha të parave publike në bashkitë e Cërrikut dhe Peqinit.
Por Shega dhe babai i kryebashkiakut të Beratit vazhdojnë të jenë ortakë në një tjetër kompani. Bëhet fjalë për kompaninë Wonder Green, ku Demo dhe Shega kanë nga 50 për qind të aksioneve.
Kjo shoqëri ka si objekt: hapjen e bar-bufeve, restoranteve, pikave të servisit, parkim automjetësh, lavazhit të hoteleve, fshatrave turistike, moteleve si dhe agjencive për shitblerje, dhënie me qira të pasurive të tundshme e të patundshme agjencive për shitblerje, aktivitete tipike këto të pastrimit të parave.
Sipas statusit në QKB, kompania Wonder Green rezulton aktive, por në tre vitet e fundit ajo nuk ka depozituar asnjë bilanc financiar.
Miliarda lekë tendera
Përmes kompanisë Viola Green, Shega ka marrë dhjetra milionë euro tendera publikë, kryesisht në dy bashki të vendit Cërrik dhe Peqin. Sipas të dhënave zyrtare nga thesari i shtetit, në katër vitet e fundit, institucionet e shtetit kanë bërë mbi 7.3 milionë euro pagesa drejtëpërdrejtë në llogarinë e kompanisë Viola Green.
Nuk dihet nëse SPAK i ka shtrirë hetimet edhe mbi mënyrën se si kompania e Shegës fitonte tendera nga kryebashkiakët socialistë, teksa paralelisht pastronte paratë e grupeve më të fuqishme kriminale të vendit, apo nëse kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo ka ndikuar nëpërmjet pushtetit, që kjo kompani të përfitojë me dhjetra tendera.