Qytetarët që nuk paguajnë në kohë detyrimet për administrimin në pallate do të gjobiten. Ligji i ri i hedhur per konsultim publik, ndryshon rrënjësisht ligjin aktual dhe synon forcimin e rregullave për administrimin e ndërtesave të përbashkëta.
Xhemi Peca, administrator i disa pallateve në Tiranë thotë se shpesh has edhe kundërshtinë e banorëve për të mos i paguar detyrimet.
“Kjo ka qene pjesa me e vështirë e një administratori sepse duke mos qene u mbështetur me ligj është detyruar te sillet në mënyrë lutëse. Nuk kemi arritur qe te krijojmë një fond rezerve“, shprehet ai, raporton AbcNews.
Për ministrin e Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku ligji i ri për administrimin e pallateve synon të zgjidhë çështjet e bashkëpronësisë, pasi ligji aktual nuk ka funksionuar plotësisht, ndërsa problemet e banorëve kanë qenë të vazhdueshme.
“Ligji i ri rregullon shumë nga këto aspekte, duke filluar nga roli i bashkisë, qe futet si risi koncepti i mbajtjes se një libri, ku çdo bashki do te mbaje një libër me objektet e bashkëpronësisë.”
Roli i administratorit të pallateve pritet të formalizohet.
“Administratori i ri do të marrë një nr Nipti dhe te lëshojë fatura për banoret, që janë formale, fiskale. Kjo do te rrisë mundësinë e mbledhjes se këtyre faturave.”
Ndërsa administratorët do të lëshojnë fatura me shpenzimet për banorët, ligji i ri përcakton qartë edhe se çfarë ndodh me debitorët.
“Në qoftë se këto fatura nuk paguhen për një periudhe 3 mujore ato kalojnë automatikisht ne tituj ekzekutive që mund të ekzekutohen nëpërmjet proceseve gjyqësore. Nëse nuk mblidhen për 6 muaj krijohet barra hipotekore, qe personi i ka një detyrim pallatit që duhet të shlyhet para se prona të ndërroje rol.”
Tarifa që banorët janë të detyruar të paguajnë do të përcaktohet nga asambleja e bashkëpronësisë, që përbëhet nga ndërtuesi dhe pronarët e apartamenteve. Nëse nuk arrihet dakordësia, kjo tarifë përcaktohet nga bashkia e qytetit. Pagesat e banorëve do të mblidhen në një fond rezervë.
“Në një periudhë të caktuar, çdo pesë vjet, sipas rregullores duhet mirëmbajtur fasada, shkalla banorët kane fondin rezervë për të bërë riparimet.”
Ligji i ri parashikon edhe krijimin e një këshilli në bashki për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes banorëve të pallatit.