Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kritikuar punën e Komisionerit të Prokurimit Publik, teksa tha se po lejon krimin e skemave të ngjashme me ‘5D’ të Bashkisë Tiranë, në bashkitë e tjera të vendit.
Bardhi gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve u ndal tek Bashkia e Tropojës, duke thënë se Rexh Byberaj i ka dhënë rreth 5 milion euro tendera kushëririt të tij, ndërsa apeloi që SPAK të veprojë.
“Kryetari i Bashkisë Tropojë i jep tenderat djalit të xhaxhait. Janë dy kompani në emër të kushëririt të tij dhe vetëm në 3 vite i ka dhënë më shumë se 4.7 milion euro. Kontrata për ndërtimin e tregut të bagëtive, dhe sot nuk ekziston ai treg. Po ashtu ka përfituar edhe 3 procedura të tjera tërësisht korruptive dhe në konflikt interesi. Tre janë ankimuar tek ju dhe ju keni shpallur fitues djalin e xhaxhait të tij, edhe pse kishte ofertën më të lartë. Ka edhe kontratë tjetër për ndërtimin e rrugëve. Gjashtë konkurentë në garë, pesë të skualifikuar në kundërshtim me ligjin dhe fitues shpallet sërish djali i xhaxhait”, tha Bardhi.
Bardhi denoncoi mosveprimin e Këshillit të Ministrave për të shkarkuar nga detyra kryetarin e Bashkisë Tropojë.
“Shpërdorim të detyrës”, “Prerje të paligjshme të pyjeve” dhe “Shkatërrim të pronës”, duke shkaktuar një dëm të madh financiar prej 2.8 milion euro. “Ligji për vetëqeverisjen vendore detyron Këshillin e Ministrave të shkarkojë nga detyra Rexh Byberajn, sipas nenit 62/1/a të ligjit. Mosveprimi në këtë rast është shkelje flagrante e ligjit”, u shpreh Bardhi.