Mbledhja maratonë e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë ende nuk ka prodhuar asnjë rezultat.
Dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka mbetur sërish peng i debateve mes opozitës dhe mazhorancës. Edhe pas një pushimi rreth 1 orë pas mesnate, PD dhe PS nisën mbledhjen sërish me të njëjtat debate.
PD kushtëzon dëshminë e Beqajt me pyetjen e kryeministrit Edi Rama dhe Vilma Nushit.
Kërkesa për zgjatjen e afatit të komisionit hetimor nuk u miratua në Konferencën e Kryetarëve dhe palët u kthyen në Komision me të njëjtat debate.
Komisioni është futur në ngërç, ndërsa të enjten përfundon afati, pra mesnatën e 14 nëntorit. Beqaj pret ende në korridorin e Kuvendit.
Pasi Konferenca e Kryetarëve vendosi që të rrëzojë kërkesën e PD për të shtyrë mandatin e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, kryetarja Albana Vokshi denoncoi se deputetët e PS tentuan të rrëmbenin komisionin, pasi u përpoqën që të fusnin fshehurazi dëshmitarin.
Sipas deputetes së PD, komisioni hetimor nuk mund të mbyllet pa u ezauruar lista e dëshmitarëve, pasi në të kundërt tha ajo “ne shkelim ligjin”.
Në fund Vokshi theksoi se kyç për komisionin është dëshmia e Edi Ramës, Vilma Nushit dhe të aksionarëve dhe pronarëve.
“Është bërë një tjetër tentativë nga ana e deputetëve të mazhorancës për të rrëmbyer këtë komision. Në mungesë të opozitës tentuan të fusnin fshehur dëshmitarin. Kjo nuk iu lejua, sepse ligji dhe rregullorja nuk e lejon. I them kolegëve të mazhorancës që të jenë të qetë.
Nuk e di si do mbyllet ky komision, kur akoma nuk ka dëshmuar Ilir Beqaj. Kemi edhe disa shtetas të tjerë, italianë dhe shqiptarë që janë kërkuar të dëshmojnë. Unë nuk kam një zgjidhje. Unë dua ti kërkoj deputetëve të mazhorancës që në përfundim të kësaj dite të diskutojmë për zgjatjen e afatit derisa të ezaurohet lista. Nëse nuk ezaurohet lista ne shkelim ligjin”, tha Vokshi.
Ish-ministri Beqaj është paraqitur dy ditë në Kuvend për dëshminë, por veçse ka pritur në korridore. Beqaj dallohet pas mesnate me duar në xhepa duke pritur në Kuvend teksa mbërriti aty në orën 10:30 të së mërkurës së 13 nëntorit.
Të martën, opozita nuk e lejoi Beqajn që të jepte dëshminë me powerpoint. Prandaj, Beqaj të mërkurën solli fotografi të printuara ku tregojnë gjendjen e spitaleve gjatë qeverisjes Berisha.
Beqaj ndodhet në paraburgim pasi po hetohet nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për abuzim me fondet e Bashkimit Europian në SASPAC ndërsa për koncesionin e sterilizimit ai po hetohet nën masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’.