Maqedonia e Veriut e ka ulur sërish çmimin e naftës, duke e tregtuar atë për 120 lekë për litër. Nga vendet e rajonit, çmimin më të lartë e ka Shqipëria, me 175 lekë për litër. Edhe pse në bursë çmimi i naftës ka rënë, kjo ulje nuk reflektohet ende në tregjet shqiptare.
Mjaftojnë 50 euro për të mbushur plot një rezervuar makine me naftë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë etj. Me 3,075 denarë, ose 4,920 lekë, mund të marrësh plot 44.8 litra naftë.
Edhe pse derivatet e naftës pësuan një rritje drastike gjatë pandemisë dhe ulja e çmimeve nuk është e madhe, Maqedonia e Veriut ende ka çmimin më të ulët në rajon. Në Shqipëri, qytetarët paguajnë më shumë për një litër naftë, ku çmimi shkon në 1.8 euro. Pas saj vijnë qytetarët e Sllovenisë dhe Kroacisë, me përkatësisht 1.50 euro për litër dhe 1.45 euro për litër.
Por një problem tjetër është se çmimi nuk e justifikon as cilësinë që ka karburanti dhe në jo pak diskutime publike është ngritur ky shqetësim, konsumatorë që ankohen për problemet teknike në automjetet e tyre, si rrjedhojë e karburantit jo cilësor.
Ndër të tjera, kjo tregon edhe punën e dobët të institucioneve përgjegjëse, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në rolin e politikëbërësit, si dhe Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial, i cili tek distributorët e mëdhenj, Kastrati, Gega Oil, Bolv Oil, EIDA, kryen kontrolle për formalitet dhe statistik dhe jo për garantimin e cilësisë së karburantit.
Luigj Aliaj nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve shpjegon se kjo diferencë është e lidhur me barrën e taksave që rëndojnë mbi naftën.
“Ne e taksojmë naftën mesatarisht 48 lekë/litër më shtrenjtë. Nëse taksimi do të barazohej me rajonin dhe do të ishte 48 lekë më i ulët, atëherë çmimet do të ishin më të ulëta se në vendet kufitare,” sugjeron ai.
“Kjo mungesë në buxhet do të kompensohej me rritjen e konsumit, pasi qytetarët në zonat kufitare nuk do të kishin nevojë të kalonin kufirin për furnizim. Përkundrazi, ata dhe turistët do të vinin këtu,” argumenton Aliaj.