Çështja e pensioneve të ulëta, është hall i madh votash për kryeministrin Edi Rama, ngaqë kanë filluar reagimet dhe protestat e pensionistëve, sidomos pas talljes me indeksimin 4.1%, ndërsa pagat e deputetëve dhe ministrave u dyfishuan.
Në takimet farsë me pensionistët që në shumicën e tyre ishin militantë të PS e prindër të punonjësve të administratës shtetërore, kryeministri Edi Rama, ka pranuar që pensionet nuk do rriten as në vitin 2025, por do ketë vetëm 1 indeksim në masën 2-3%, fakt i pasqyruar dhe në projekt-buxhetin e ri.
Babloku po përbetohet, se qeveria nuk ka asnjë mundësi financiare për të rritur pensionet, por mundësitë janë, sepse buxheti i vitit 2025 është 600 milionë Euro më i lartë se ai i vitit 2024, ose 80 milionë Euro më tepër se fondi që qeveria i akordon si mbështetje skemës së pensioneve.
Pra, nëse gjatë vitit 2024, qeveria ka subvencionuar pensionet me 500 milionë Euro; në vitin 2025 do shtohen 600 milionë Euro e në total 1.1 miliardë Euro, ndërkohë që fondi i pensioneve për vitin e ardhshëm do jetë 1.8 miliardë Euro.
Por pensionet nuk mund të rriten, sepse 12% e buxhetit vjetor paguhet për PPP dhe koncesionet e shërbimeve publike, e që shteti nuk merr as 1 qindarkë prej PPP-ve e koncesioneve ekonomike, kontratave “1 Euro” e pasurive që u jepen investitorëve strategjikë.
Disa herë në vitet 2017-2020, FMN i ka kërkuar qeverisë shqiptare, ndërprerjen PPP-ve ekzituese në vlerë 1.3 miliardë Euro, dhe mos të miratojë PPP tjera; por kryeministri Edi Rama ka refuzuar dhe ka vazhduar të sajojë të tjera në vlerë 250 milionë Euro shtesë.
Ndërsa në vitet 2021-2023, kur skema e pensioneve u vu në vështirësi, FMN në bashkëveprim me Bankën Botërore e Bankën Qendrore Europiane, i refuzuan qeverisë shqiptare, marrjen e 3 borxheve për të përballuar pagesat e pensioneve.
Si mundësi për të përballuar skenën e pensioneve, FMN, në muajin nëntor 2023 dhe në muajin qershor 2024, i propozoi qeverisë shqiptare, që disa PPP, koncesine e kontrata “1 Euro”, t’i kalonte si shoqëri anonime në administrim të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Ideja e FMN-së, ishte që Institutit të Sigurimeve Shoqërore, t’i jepen koncesionet e naftës, të bakrit e kromit, HEC-ve, të cilët janë pasuri shtetërore e prej 25 vitesh krijojnë 100% të ardhura për privatët.
Këto koncesione, do jenë aq burim i madh financiar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, sa 100% e fondit vjetor të pensioneve, sigurohet vetëm nga koncesioni i nxjerrjes së naftës që i është dhënë kompanisë “Bankers” dhe të ardhurat nga puset e naftës e gazit që u janë dhënë 3 shoqërive të tjera.
Sipas llogarisë, vetëm 1 indeksim vjetor i pensioneve në masën 9%, është sa qiraja vjetore, që qeveria u paguan 2 anijeve TEC, që kryeministri Edi Rama ka sjellë nga Bangladeshi në Vlorë e nuk prodhojnë energji elektrike.