SPAK ka zbuluar një pasuri me vlerë miliona euro të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit me burim aferat korruptive. Nga kjo pasuri, mbi 800 mijë euro kanë si burim Fatime Kryemadhin, e cila shiste qepë në Qytetin Studenti.
Qindra mijëra euro Fatime Kryemadhit ia ka dhënë cash biznesmeni Gentjan Sula, i implikuar në pastrimin e parave të çiftit Meta-Kryemadhi. Megjithatë, Fatime Kryemadhi ka deklaruar se ka punuar dhe ka ndihmuar të bijën Monika Kryemadhi.
Po çfarë punësh ka bërë familja e Monika Kryemadhit, e cila u pasurua kaq shumë?
Drini Kryemadhi, vëllai i Monikës, ka punuar si furrxhi, DJ dhe më vonë si mekanik. Babai Ramazani ka punuar si kambist, ndërsa nëna Fatime ka shitur qepë në Qytetin Studenti.
Të gjitha këto punë janë të nderuara, por nuk të sjellin të ardhura për të bërë pallate dhe bërë vila.
“Në deklarimet saj shtetasja Fatime Kryemadhi, e pyetur në lidhje me të ardhurat të cilat i ka përdorur për të blerë pasuri të paluajtshme, si dhe ato të përdorura për likujdimin e kredive që ajo vetë ka marrë, por edhe ato të marra nga vajza Monika Kryemadhi dhe që janë financuar nga Fatimja, deklaron se me ardhjen e demokracisë kishte dhënë me qira një pjesë të apartamentit 3+1 që kishte te zona e Shallvareve, dhe nga qiraja përfitonte një mijë marka në muaj. Kjo shumë u pagua për gati dy vjet, por nuk kishte lidhur një kontratë qiraje para noterit. Bashkëshorti i saj, Ramazani, pas daljes në pension në vitin 1992, punoi si kambist ndërsa djali, Drini ka punuar si furxhi si dhe si DJ në disko Albania. Në vitin 1990, sipas deklarueses, ishin pajisur me leje ndërtimi nga këshilli i fshatit Mëzes dhe kishin ndërtuar një shtëpi me sipërfaqe 100 m2 dhe truall 400 m2. Pas ndërtimit të shtëpisë në Mëzes, Fatimja deklaroi se kishte dhënë me qira apartamentin që kishte te Shallvaret, me qira mujore 500 USD për një periudhë 2-3 vjeçare dhe për këtë kishte lidhur edhe kontratë qiraje te Noteri. Më pas shtëpinë ia kishte dhënë me qira një shoqërie greke për shumën një milionë e gjysëm lekë, dhe me të ardhurat e siguruara arriti të blente nga komshiu apartamentin e tij për vlerën 35 milionë lekë“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.