Vijon të shtohet misteri lidhur me atë që synojnë të arrijnë Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj me komisionin e famshëm antikorrupsion.
Ndonëse gjithë drejtësia e bojkoti dhe ata nuk kanë asnjë votë për të ndryshuar ligjet kyçe të drejtësisë, puna e këtij komisioni vijon pa ndaluar dhe në fshehtësi të plotë. Ajo që ka ngjallur dyshime është një mbledhje e zhvilluar dje pak para seancës plenare, mbledhje zhvilluar “bodrumeve”.
Siç shihet në fotot që ka shpërndarë Kuvendi, takimi është mbajtur në një dhomë te godina ku mbahen seancat plenare dhe janë marrë shpejt e shpejt një sërë vendimesh, pa transparencë. Mbledhja nuk është transmetuar nga Kuvendi, teksa po ashtu gazetarët nuk janë lejuar që të jenë prezentë, pasi vetë mbledhja nisi në mënyrë të fshehtë.
Ndërkohë vetë Kuvendi njofton se: Sekretariati Teknik informoi mbi draft Dokumentin Analitik (jo përfundimtar) të përgatitur nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, i cili përmban një draft të analizës së situatës aktuale në të 3 fushat objekt i punës së komisionit: i)Mirëqëverisja, ii)Antikorrupsioni dhe iii)Sundimi i Ligjit.
Për këtë draft thuhet se është në punë e sipër dhe do u jepet ekspertëve para se të marrë trajtë përfundimtare. Ky draft është thelbi i këtij komisioni dhe ka terr të plotë për të. Nuk dihet kush po e harton, si po hartohet, etj.
I vetmi njoftim i Kuvendit është se draft-dokumenti analitik bazohet kryesisht në vlerësimet, gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në Raportet e BE-së, si dhe një sërë raportesh dhe dokumentesh të tjera zyrtare vendase dhe ndërkombëtare. Draft Dokumenti Analitik është një material voluminoz me 12 komponentë/kapituj dhe me rreth 20 nënkomponentë. Por pa dhënë detaje.
Po ashtu theksohet se më pas Komisioni shqyrtoi 3 vendime të natyrës organizative, përgatitur nga Sekretariati Teknik, të cilat u miratuan nga anëtarët e pranishëm në mbledhje.
Më konkretisht:
Vendimi i parë lidhet me miratimin e hapave për organizimin e procesit të konsultimit publik, sipas masave të propozuara nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe Sekretariatit Teknik, ku përfshihet: i)organizimi i tryezave tematike publike, ii)forumeve të dialogut qytetar me fokus çështjet e ndjeshme për qytetarët; iii)konsultimeve me grupet e interesit, përfshi edhe institucionet shtetërore dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese; si dhe iv)konsultimi i draftit të Dokumentit Analitik me ekspertë e konsulentë ndërkombëtarë për të marrë vlerësimet e komentet e tyre lidhur me përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, si dhe reflektuar përvojat më të mira ndërkombëtare në këto fusha.
Vendimi i dytë lidhet me miratimin e ndryshimeve në përbërjen e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.
Vendimi i tretë lidhet me miratimin e listës së ekspertëve dhe konsulentëve të jashtëm ndërkombëtarë, të cilët do të atashohen pranë Komisionit, për të mbështetur dhe kontribuar në përmbushje të objektit të veprimtarisë së komisionit të posaçëm.
Për këto dy të fundit ka zero transparencë. Pse komisioni ka ndryshuar përbërjen e grupit të ekspertëve dhe kush janë emrat e larguar apo të rinj? Po ashtu edhe për ekspertët e jashtëm nuk dihet asgjë.
Pra duket qartë se kemi të bëjmë me një skenar ogurzi. Mblidhen 4-5 deputetë aty dhe diskutojnë mbi “fatet e vendit”, pavarësisht se nuk kanë vota, ndërkombëtarët ja u kanë bërë të qartë se duan transparencë dhe mbi të gjitha gjithëpërfshirje.