Është dorëzuar në pikën kufitare Kapshticë, Andri Mehja, kryeinspektori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, në bashkinë e Elbasanit, i cili në muajin Prill u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Rasti i këtij personi fillimisht është ndjekur dhe investiguar nga një emision investigativ, ndërsa më pas çështja është rregjistruar nga prokuroria e Elbasanit, ku u proceduan me masën e sigurisë “arrest në burg” kryeinspektori i IMT-së, Andri Mehja dhe inspektorit Bardhyl Qehja.
Inspektori dhe kryeinspektori i kanë kërkuar 2.5 milion lekë të vjetra një qytetari, i cili veç problemeve ekonomike ka problem shëndetësore dhe me njërin nga fëmijët.
Qëllimi i marrjes së lekëve, ka qenë në këmbim të mos prishjes së një objekti pa lejë, të ndërtuar nga denoncuesi më qëllim strehimin e familjes.
Për shkak të shumës së korrupsionit prej 2.3 milion lekë të vjetra, dosja i kaloi për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK, ku prokurori Elvin Gokaj, u ngarkua për të ndjekur rastin hetimor.
Në muajin qershor 2024, nga ana e SPAK u arrestua dhe personi i tretë, Gentian Bako, si i dyshuar në këtë veprimtari kriminale.
Mësohet se i kërkuari nga Drejtësia Shqiptare, Andri Mehja, ka hyrë në territorin shqiptar përmes pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, ku u shfaq para punonjësve të policisë duke u dorëzuar.
Tashmë ai është nisur në drejtim të Tiranës, ku brenda kësaj jave pritet të dalë parë gjykatës së Posaçme SPAK, për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” të vendosur ndaj tij në kushtet e mungesës.
Mehja njihet në Elbasan si vëllai i dhëndrit të ish-kryebashkikaut të Elbasanit, Qazim Sejdini.