Ligji për Prokurimin Publik e ndalon që t`iu jepen tenderë kompanive, të cilat kanë pronarë apo administratorë të dënuar, por të dhënat tregojnë se nga Rindërtimi kanë përfituar edhe kompani me pronarë të dënuar ose nën hetim, nga trafiku i lëndëve narkotike, evazioni fiskal e deri te korrupsioni i zyrtarëve të lartë.
Në fund të gushtit të vitit 2024, kryebashkiaku, Erion Veliaj, njoftoi hedhjen e shortit të dytë për përfitues të banesave tek zona e 5 Majit.
E pagëzuar me emrin Tirana River Side, 5 Maji u shpall zonë e re, ndërtimore nga qeveria shqiptare pas tërmetit të vitit 2019.
Ndërsa institucionet mburren me cilësinë e ndërtimit, të dhënat dëshmojnë se ato u ndërtuan nga kompani që kanë probleme me ligjin.
Në krye të listës qëndron Alesio 2014, me pronar Anton Gjinajn, i cili ka marrë një dënim të formës së prerë nga gjykata spanjolle. Ai ka përfituar 3 tenderë si bashkim operatorësh në Tiranë, te 5 Maji, me vlerë 12.5 milionë euro, ndërsa ka firmosur kontrata të majme edhe me bashkitë e Krujës dhe të Lezhës; por Alesio 2014 nuk është e vetmja kompani me probleme me ligjin, që ka përfituar nga procesi i rindërtimit. Një sërë vendimesh të gjykatave dhe të dhëna zyrtare, tregojnë se të paktën 9 kompani, që rezultojnë me rekorde kriminale, janë përfitueset më të mëdha të projekteve të rindërtimit.
Në total, mbi 170 milionë euro nga fondi i rindërtimit kanë përfunduar te kompani, pronarët e të cilave kanë pasur probleme me ligjin, duke filluar nga pjesëmarrja në organizata kriminale, deri te korrupsioni i zyrtarëve të lartë.
Zbulimi i rekordeve kriminale të pronarit të kompanisë Alesio 2014, por edhe të kompanive të tjera duket se “favorizohen” nga ligji.
Ligji i Prokurimeve Publike dhe VKM për rregullat e prokurimit publik nuk parashikojnë asnjë ndalesë për vijimin e zhvillimit të kontratave publike, edhe pse pronarët e kompanive mund të dënohen nga gjykata.
I parashikuar të kushtojë 1.15 miliardë euro, deri më tani rindërtimi i ka kushtuar buxhetit të shtetit 900 milionë euro, por ai parashikohet të zgjasë së paku edhe 4 vite të tjera.
Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, më 16 dhjetor 2019 qeveria miratoi një akt normativ, nëpërmjet të cilit vendosi që procesi i prokurimit publik të zhvillohej me procedurë të kufizuar.
Kur po mbushet viti i 5-të i shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe i miratimit të aktit normativ, institucionet shqiptare vazhdojnë ende t`i prokurojnë paratë publike me emergjencë, pa hapur garë, si dhe me procedura të kufizuara.
“Kriminelët” e fondeve të rindërtimit
Me një investim të parashikuar prej 75 milionë eurosh dhe procedura të dyshimta, për 3 muaj (në prill 2020), Bashkia e Tiranës miratoi planin e detyruar, vendor për zonën e 5 Majit. Përdori forcat bashkiake dhe Policinë e Shtetit për shembjen e rreth 430 shtëpive dhe hapi 580 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimore.
Projekti parashikon ndërtimin e 51 godinave banimi me 3.500 apartamente për strehimin e 11 mijë familjeve, mes tyre edhe ato që u prekën nga tërmeti. Po me ritme kaq të shpejta nisi edhe procedura e prokurimit. Gjatë muajit gusht brenda një dite u shpall hapja e procedurave të tenderëve dhe dhjetë ditë më vonë u shpallën dhe fituesit.
Pikërisht në këto ditë të ethshme tenderësh u përzgjodh si fituese nga Bashkia e Tiranës edhe kompania Alesio 2014, me pronar Anton Gjinajn, i dënuar nga gjykata spanjolle për trafik të narkotikëve.
Kjo kompani, së bashku me Nova Construction 2012, do të ndërtojë 2 nga 51 pallatet, pikërisht godinat A15, seksioni 1 dhe A15, seksioni 2, me një fond prej 852 milionë lekësh (8.5 milionë euro).
Asokohe, pronari i kësaj kompanie, Anton Gjinaj, njihej si biznesmen i fuqishëm ndërtimi, por dokumentet tregojnë se që në vitin 2010 ai rezultonte në rekordet e Policisë së Shtetit. Në Spanjë ai ishte i dënuar me tetë vite e nëntë muaj burg për trafikimin e 50 kg heroinë, ndërsa në Shqipëri për shkak të ndryshimit të emrit në Pashkë Gjinaj gëzonte statusin e biznesmenit.
Pak muaj pas nënshkrimit të kontratave me Bashkinë e Tiranës ai u arrestua në prill të vitit 2021 për llogari të Interpol Madrid.
3 muaj pas arrestimit, në qershor të vitit 2021, Bashkia e Tiranës lidhi një tjetër kontratë me këtë kompani si pjesë e konsorciumit Inerti sh.p.k., Alesio 2014 dhe Ferro Beton & Construction Co, me një fond prej 409 milionë lekësh për infrastrukturën e brendshme të zonës së 5 Majit. Vetëm nga Bashkia e Tiranës kjo kompani përfitoi si pjesë e konsorciumeve 12.5 milionë euro para të rindërtimit.
Në korrik të vitit 2022, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestrimin e 23 pronave të regjistruara në pronësi të Anton Gjinit, përfshirë dhe kompaninë Alesio 2014.
Prokuroria thotë se nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurive të shtetasit Anton (Pashuk) Gjinaj (Gjini) dhe familjarëve të tij, “dyshohet t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij, kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe në Spanjë”.
Kompania Alesio 2014 nuk është e vetmja me rekorde të “zeza” te programet e rindërtimit.
Dajti Park 2007 është një kompani tjetër, me pronar të dënuar për korrupsion, e cila ka fituar 15,5 milionë euro tenderë nga rindërtimi.
Ligji për Prokurimet Publike e ndalon pjesëmarrjen në tenderë të kompanive që kanë një ortak të dënuar për korrupsion dhe vepra të rënda, penale ose të personave që mund të kenë kontroll në vendimmarrjen e kompanisë. Kjo nuk ka penguar që Dajti Park 2007 të jetë një nga 6 firmat që kanë përfituar më shumë nga tenderët e rindërtimit, duke përdorur si shpëtim dhurimin e aksioneve familjarëve të tij.
Dokumentet tregojnë se Ylber Kalaja, ish-pronar i kësaj kompanie, rezulton në dosjet e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Bëhet fjalë jo për një të shkuar të largët, por për 2 vjet përpara nënshkrimit të kontratave për fondet e rindërtimit.
Biznesmeni Kalaja u dënua me 2.5 vite burg nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në nëntor të vitit 2018, pasi u shpall fajtor me akuzën e korrupsionit të zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Burgjeve në këmbim të fitimit të tenderëve të ushqimeve, por çështja është ankimuar.
Në nisje të hetimeve biznesmeni Kalaja i ndryshoi emrin firmës së tij, nga Vllaznia në Dajti Park 2007 dhe, pasi u dënua nga gjykata, në fund të vitit 2018 i dhuron 50% të aksioneve djalit të tij, Desart Kalasë, dhe pjesën tjetër Lulzim Qefalisë, vëllait të deputetit socialist, Xhemal Qefalia.
Kjo kompani ka përfituar 4 tenderë, nga të cilët 3 kontrata si bashkim operatorësh, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë 11 milionë euro, dhe një kontratë nga Bashkia e Tiranës me vlerë 4.5 milionë euro për hartimin e projektit të rindërtimit në zonën e Kombinatit.
Pavarësisht përpjekjeve për ta kontaktuar, kompania Dajti Park 2007 nuk ishte e arritshme në adresat e kontaktit të deklaruara pranë QKB.
Po ashtu, Arian Tukut, pronar i Eurocompany sh.p.k., e krijuar në vitin 2018, i është besuar procesi i rindërtimit me kontrata të majme. Kompania ka përfituar 1.5 milionë euro nga qershori i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2022, ndërkohë që, sipas dosjes së prokurorisë, në nëntor të vitit 2020 ai dyshohej se kishte trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa, që janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Në maj të vitit 2024 “biznesmeni” u arrestua në Itali me urdhër të SPAK.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Tuku, 36 vjeç, nga Lezha, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën, si dhe ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Durim Bamit, të dy këta personazhe të botës së krimit. Tuku mendohet se i ka kryer këto vepra penale për llogari të Arben Ndokës (me të cilin ka lidhje familjare), ish-deputetit të PS-së, i cili po ashtu është në kërkim, pasi ndaj tij SPAK ka lëshuar urdhër-arrest.
Një tjetër kompani me aksionerë, e shkuara e të cilëve është në rekordet e sistemit të drejtësisë, është dhe Ferro Beton & Construction Co. Kompania zotërohet nga Ilir Shtufi dhe Mark Luli, i cili është i skeduar për trafik makinash të tonazhit të lartë.
Luli rezulton se është edhe person me precedentë penalë, pasi në vitin 2013 ka tentuar që të vrasë me armë zjarri dy oficerë të forcave speciale, RENEA.
Kompania, ku Luli rezulton bashkëpronar, zë vendin e dytë për fitimin e projekteve nga programi i rindërtimit si një bashkim operatorësh me Ante Group dhe Ferro Beton & Construction Co.
Ky bashkim operatorësh ka fituar katër kontrata nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me vlerë totale 2 miliardë e 413 milionë lekë. Ndërkohë, Ferro Beton ka pasur edhe 3 bashkëpunime të tjera në kuadër të programit të rindërtimit, me vlerë totale 1.28 miliardë lekë.
Ligji 162/2020 “Për Prokurimin Publik” (LPP), që hyri në fuqi më 31 mars 2021, në nenin 76 përcakton se duhet të përjashtohet nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 5-vjeçare çdo operator ekonomik që është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për veprat penale: korrupsion, mashtrim, pastrim parash, falsifikim, financim të terrorizmit apo pjesëmarrje në grup të strukturuar, kriminal etj.
Detyrimi për s’kualifikimin e një operatori ekonomik zbatohet, edhe kur personi i dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë është anëtar i një organi administrimi, drejtues ose mbikëqyrës i tij, aksioner ose ortak, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje apo kontrolluese brenda tij.
Në rastin e procedurave të rindërtimit, në Aktin Normativ Nr. 9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, është përcaktuar që kriteret e kualifikimit dhe të vlerësimit të hartohen sipas legjislacionit për prokurimin, por përcaktimet specifike të Aktit Normativ prevalojnë mbi LPP.
Në këtë Akt Normativ, në nenin 42, përcaktohet se s’kualifikohet nga procedura e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike çdo operator ekonomik, nëse vetë shoqëria ose anëtari i një organi administrimi, drejtues ose mbikëqyrës, aksioner ose ortak, ose person me kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese, është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për të njëjtat vepra të listuara në Ligjin e Prokurimeve Publike, duke shtuar edhe “organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve”.
Referuar këtyre përcaktimeve ligjore, shoqëritë, ortakët ose administratorët e të cilave në kohën e zhvillimit të procedurave në fjalë kanë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë për ndonjë nga veprat e listuara, ku përfshihet edhe trafikimi i narkotikëve, duhet të ishin shkualifikuar nga këto procedura.
Evazion fiskal
Në fillim të vitit 2018 Prokuroria e Elbasanit vuri nën akuzë për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën, në bashkëpunim” dhe zotëruesit e kompanisë Vëllezërit Hysa sh.p.k., ku Agron dhe Kujtim Hysa u arrestuan.
Prokuroria pretendoi se aksit rrugor Elbasan-Gjinar, ku ata ishin angazhuar si nënkontraktorë, i mungonin 7.2 milionë lekë volume pune, të paguara nga buxheti i shtetit. Bashkë me vëllezërit Hysa Prokuroria e Elbasanit urdhëroi edhe arrestimin e dy ish-drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe Andi Toma.
Vëllezërit Hysa e fituan shpejt lirinë, pasi gjykata e rrëzoi masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tyre. Ndërkohë që në Gjykatën e Elbasanit që prej shtatorit të vitit 2018 zhvilloheshin një seri seancash gjyqësore ndaj tyre, në vitin 2020 kjo kompani u shpall fituese për rindërtimin e 238 banesave individuale në Kurbin dhe në Mirditë, me një fond prej 629 milionë lekësh.
Kompania Vëllezërit Hysa ka qenë nën akuzë edhe nga opozita, ndërsa në shtator të vitit 2019 u përfshi në një skandal, që e detyroi ish-drejtoreshën e ARRSH, Sonila Qaton, të jepte dorëheqjen.
Ndërsa kompania Vëllezërit Hysa është vendosur nën hetim edhe nga SPAK, të tjera kompani duket se kanë gjetur “manovra” për të pastruar të shkuarën e tyre.
Fiqiri Palit i ka mjaftuar që t`i kalojë aksionet e kompanisë së tij te bashkëshortja për të vijuar biznesin me institucionet shqiptare. Më 15 maj 2008 u paraqit përpara noteres, Vjoleta Sulkaj, dhe i kaloi në letra kompaninë Sireta 2F shtetases Fatime Pali; kësaj të fundit ia shiti të gjitha aksionet për 100 mijë lekë, ndërkohë që arrestohet pak ditë më vonë me akuzën e korrupsionit, pasi u provua se ai korruptoi zyrtarë të lartë të ish-Ministrisë së Punës, një skandal ky që asokohe përfshiu edhe ish-ministrin Spiro Ksera.
Pali u dënua me 1 vit burg e 9 milionë lekë gjobë, ndërsa kompania e krijuar prej tij, Sireta 2F, rezulton fituese edhe në projektet e rindërtimit në vlerën e 600 milionë lekëve dhe rreth 1.4 miliardë lekëve si bashkim operatorësh.
G.P.G. Company renditet e katërta për vlerën e përfituar nga rindërtimi, me vlerë 2 miliardë lekë ose 20 milionë euro. Aksioneri i kësaj kompanie, Paqsor Buzi, gjatë kohës që zhvilloheshin procedurat e tenderit ishte nën hetim për krijimin e një skeme mashtrimi me tatimin mbi vlerën e shtuar, TVSH.
Ai dyshohej se në bashkëpunim me firma të tjera prisnin fatura fiktive për të justifikuar punime dhe shërbime të pakryera, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerën e 4 milionë eurove.
G.P.G. Company ka përfituar 2 kontrata me FSHZH për rindërtim pallatesh në Krujë dhe në Shijak, si dhe 3 kontrata me bashkitë Durrës, Lezhë dhe Kurbin për rindërtim shkolle.
Gjykata e pushoi çështjen në qershor të vitit 2020, disa muaj pasi ai kishte marrë pjesë në garën e projekteve të rindërtimit.
I arrestuar po në të njëjtin operacion të Policisë së Shtetit ishte dhe një nga aksionerët e CEC Group, Vangjush Mbriçe, i cili u vendos nën hetim për skemë mashtrimi me TVSH. Edhe pse ishte nën akuzë nga organet ligjzbatuese, kompania ka përfituar 4 kontrata nga rindërtimi, me vlerë 130 mijë euro.
Shpresa Joanidhi është një tjetër biznesmene e arrestuar si pjesë e skemës së mashtrimit me TVSH. Ajo ka qenë kandidate e PD për deputete në qarkun e Gjirokastrës, ndërkohë është administratore e Shpresa Al, bashkë-ortake me bashkëshortin e saj, Alfred Joanidhin. Subjekti Shpresa sh.p.k., operonte si një kompani kateringu dhe që tregton gjithashtu sisteme kamerash dhe alarmi. Në nëntor të vitit 2019, aksioneri i vetëm i kompanisë ia dhuron aksionet pasardhësve të tij, ndërkohë që kompania ndryshon emër. Pagëzohet Dion-Al dhe shton në objekt të veprimtarisë së saj edhe fushën e ndërtimit. Dhe pse pa asnjë eksperiencë në fushën e ndërtimit, kompania e re ia del që të marrë një sërë kontratash nga fondi i rindërtimit, në një vlerë prej 2.67 milionë eurosh.
Klientelizmi i kompanive ndërtuese në programin e rindërtimit është bërë me vendim qeverie dhe “i ligjshëm”, për sa kohë që asnjë buxhet nuk e njeh si zë për investim, por vetëm si shpenzim, pasi është bërë tenderimi.
Rindërtimi deri më tani i ka kushtuar buxhetit të shtetit 900 milionë euro dhe parashikimet në 3-4 vitet e ardhshme, sipas ish-ministrit të Financave, Ervin Mete, do ta kalojnë shifrën e 1 miliard eurove.
Qeveria e ka çuar përpara këtë proces dhe nuk e ka korrigjuar atë, pavarësisht kritikave të forta të FMN për procedura jotransparente për prokurimet.
Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, më 16 dhjetor 2019 qeveria miratoi një akt normativ, nëpërmjet të cilit vendosi që procesi i prokurimit publik të zhvillohej me procedurë të kufizuar. Kjo procedurë u krye në dy faza. Në fillim iu bë thirrje kompanive, që të deklaronin interesin e tyre dhe në fazën e dytë qeveria përzgjodhi disa kompani, që kishin shprehur interes dhe iu kërkoi atyre që të paraqesin ofertat; mes tyre përcaktoi edhe fituesin.
Ekspertët sugjerojnë se këto procedura të kufizuara shmangën garën e hapur dhe shkelën parimet e konkurrencës së lirë, duke lënë vend për tenderë klientelistë, që përfunduan në duart e një grupi kompanish.