Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi, në një deklaratë për mediat është shprehur se kryeministri Edi Rama, u prit me protesta të fuqishme nga atdhetarët shqiptaro-amerikanë të New York- ut.
Këlliçi ka kërkuar transparencë lidhur me prezencën e Kryeministrit Rama në ndeshjen e NBA mes New York Knicks dhe Indiana Pacers, në Madison Square Garden.
“Sa kushtojnë biletat e ndeshjes së basketbollit, që familja Rama pati mundësinë ta ndiqte nga rreshti i parë, në ulëset më të shtrenjta të Madison Square Garden? Kush pagoi për këto bileta?”, u shpreh Këlliçi.
Sipas demokratit, nga të dhënave zyrtare online, këto bileta kushtojnë nga 3,600 deri në 7,260 dollarë për person.
Ai thekson se sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, nëse Edi Ramës i nëse i është ofruar dhurata në cilësinë e Kryeministrit, nuk duhej ta pranonte. Nëse dhurata i është bërë si individ privat dhe ajo dhuratë tejkalon vlerën e 100 eurove, duhet ta deklarojë pranë ILDKPKI.
“Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se kush janë financuesit dhe organizatorët e takimit të djeshëm të Edi Ramës, në një ndër sallat më të famshme dhe të shtrenjta të globit, në Gotham Hall, 1356 Broadway, në zemër të Manhattan, në New York”, tha ai.