Ismailaj premtoi 500 mijë euro për anëtarët e ERE, teksa i besuari i Metës aty, Petrit Ahmeti do merrte 150 mln lekë të vjetra…
Të tjera fakte komprometuese dalin nga dosja e SPAK kundër Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Padyshim, dosje e cila fundos ish-presidentin është ajo e aferës CEZ-DIA. Meta akuzohet se ka ndikuar tek Enti Rregullator i Energjisë për uljen e çmimit të energjisë që blinte CEZ.
Por nëse shohim dosjen e SPAK, të përfshirë janë dhe anëtarët e bordit të ERE në atë kohë. Në SPAK ka shkuar një intervistë e Elvis Matajt, e zhvilluar nga gazetari Artan Hoxha. Mataj dikur ka qenë kreu i LRI dhe bashkëpunëtor i Ilir Metës. Por Mataj ishte dhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë DIA dhe ishte ai i cili zbuloi pazaret e Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt.
Ai tregon se Ismailaj premtoi 500 mijë euro për anëtarët e ERE, teksa i besuari i Metës aty, Petrit Ahmeti do merrte 150 mln lekë të vjetra. Petrit Ahmeti, në atë kohë ishte zyrtar i lartë në këtë ent publik, ndërsa më 13 tetor 2013, Ilir Meta e emëroi kryetar të ERE.
“Ndër të tjera, Elvis Mataj jep të dhëna se Kastrioti i kishte premtuar edhe Petrit Ahmetit dhe anëtarëve të Bordit të ERE shumën prej 500 mijë Euro, me të cilën do të sigurohej ulja e çmimit të energjisë që CEZ blinte nga KESH. Në vijim të dëshmisë, Elvis Mataj deklaron para gazetarit se Kastriot Ismailaj i premtoi Petrit Ahmetit se do t’i paguante 15 milionë lekë, shumë e cila iu pagua pjesërisht (faqe 9 e vijim e të PV. datë 23 Shtator 2021)”, theksohet në dosje.
Pra SPAK e thekson se një pjesë e parave janë dhënë, atëherë pse nuk ka një hetim për Petrit Ahmetin? Dyshimet janë se ai e ka shitur Metën. Ai është marrë në pyetje nga SPAK dhe ja ka faturuar aferat ish-shefit të tij.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Ahmeti mbahet mend vetëm për abuzimet me postet dhe pushtetin.
Vjedhjet janë kryer gjatë kohës kur Ahmeti i shërbente Ilir Metës. Më 10 tetor 2013, Petrit Ahmeti u emërua nga Kuvendi në krye të bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE).
“Suksese Petrit Ahmetit se ka punë të vështirë“, tha Ilir Meta pasi dha rezultatin e votimit si kryetar Kuvendi.
Emri i kreut të ERE-s, Petrit Ahmeti është përmendur në dosjen e Arbitrazhit në dëshminë e ish-drejtorit të CEZ-it në Shqipëri, Josef Hejsek, dhënë më 26 tetor të vitit 2014.
Në dëshminë e tij, Hejsek pohon se ka qenë ish-ambasadori i Shqipërisë në Pragë, i ndjeri Qazim Tepshi, i cili ka rekomanduar Kastriot Ismailajn si një mbledhës të borxheve të jashtme të CEZ-it.
Më pas, së bashku me Ismailajn, Hejsek deklaron se ka shkuar në zyrën e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha, ku ishin të pranishëm edhe ish-kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta dhe kryetari aktual i ERE-s, Petrit Ahmeti, në atë kohë këshilltar zyrtar i Bordit të ERE-s.