SPAK në dosjen që ka për Ilir Metën ka përfshirë edhe intervistën e gruas së Kastriot Ismailajt, Vojsava Ismailaj, e cila jeton në Austri. Gazetari Fatos Mahmutaj që ka marrë intervistën ka dhënë gjithashtu versionin për bisedën me gruan e ish-kreut të kompanisë DIA.
“Po kështu, edhe vetë shtetasi Fatos Mahmutaj, i pyetur datën 22.01.2024 lidhur me rrethanat e zhvillimit të intervistës me shtetasen Vojsava Ismailaj dhe çfarë ka komunikuar me të, ndër të tjera, ky shtetas ka deklaruar se: “… Gjatë zhvillimit të intervistës, kemi patur rreth 3 ndërprerje të regjistrimit për shkak se Vojsava emocionohej dhe dilte nga vetvetja duke akuzuar Ilir Metën.
Për shembull një detaj që nuk është në intervistën bruto të publikuar, ajo më ka thënë: “…Ilir Meta kishte fushatën elektorale. Dhe erdhi te Kastrioti dhe i kërkoi 300,000 (treqind mijë) Euro. Kastrioti ia dha. Ai me paturpësinë e tij dhe pangopësinë erdhi dhe kërkoi prapë para.
Kastrioti nuk i dha. I tha që nuk kam më para. Dhe kuotën time te partia e kam paguar. Ai këmbëngulte duke bërë presion. Tani që Kastrioti është në burg, ai vazhdon të kërkojë para me forma presioni. … Unë nuk kam para për të paguar këto shantazhe të Ilir Metës ndaj zgjodha që të ikja për sigurinë e djalit tim””, thuhet në dosjen hetimore.