Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) hapi një hetim zyrtar në Shqipëri mbi keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga programi IPARD-II (2014–2020), pas denoncimeve të shumta.
OLAF zbuloi se mbi 33 milionë euro të fondeve të BE-së janë përdorur në mënyrë të paligjshme ose të korruptuar.
Hetimi zbuloi manipulime sistematike në përfitimin e granteve:
1. Oferta të falsifikuara,
2. Rritje të qëllimshme të kostove,
3. Kërkesa për pagesa të fshehta ndaj “zyrave konsulente”,
4. Përfitues të lidhur politikisht.
Pas zbulimit të manipulimeve sistematike, Komisioni Evropian, në vitin 2023, pezulloi pagesat nga fondi IPARD-II. Po ashtu, ngriu edhe programin e ardhshëm IPARD-III (2021–2027) me vlerë 112 milionë euro, deri në zbatimin e reformave konkrete nga Shqipëria.
Ndërkohë, qeveria shqiptare, në vend që të merrte përgjegjësinë, u përpoq të justifikojë situatën si “keqkuptim teknik” ose si pasojë e “kritereve të rrepta të BE-së”; të krijojë përshtypjen se kemi të bëjmë me një konflikt burokratik dhe jo me korrupsion.
Raporti i OLAF nuk është bërë publik, për shkak të hetimeve që vazhdojnë, ndërkohë as ministritë nuk kanë dhënë informacion të plotë.
Në Tiranë thuhet thjesht: “BE ka ndryshuar standardet, prandaj ka vonesa” – por kjo është e pavërtetë.
SPAK ka hapur hetime për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, por deri më tani asnjë emër konkret nuk është hetuar apo arrestuar.
Ka dyshime të forta se figura të rëndësishme politike po mbrohen nga drejtësia.
Kjo është një çështje me rëndësi të madhe pasi Shqipëria është vend kandidat për në BE – dhe ky keqpërdorim i fondeve dëmton rëndë besimin e BE-së ndaj institucioneve shqiptare.
Teksa qeveria shqiptare nuk jep llogari për abuzimet, dëmtohen fermerët dhe qytetarët e ndershëm, të cilët kanë nevojë për mbështetje.
Nuk është faji i BE-së kur ndodhin abuzime – është detyrë e autoriteteve shqiptare të përdorin fondet me përgjegjësi dhe të japin llogari për çdo cent.