Megjithëse kushtoi mbi 200 miliardë lekë, tuneli i Llogarasë vazhdon të thithë lekë të tjera nga buxheti. Sot mësojmë nga Agjencia e Prokurimeve Publike se, drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli ka anuluar një tender për ndërtimin e rrugëve lidhëse të tunelit. Sipas dokumenteve, një fond mbi 5 miliardë lekë do të përdoret për rrugën nga tuneli i Llogarasë deri në Palasë.
Objekti i Kontratës që prokurohet është “Ndërtim i rrugëve lidhëse në Tunelin e Llogarasë”, ndërsa fondi limit fiksohet në 506,639,914.59 Lekë pa TVSH.
Në monedhën evropiane kjo kontratë është përllogaritur nga ARRSH që të jetë 5,105,198.65 Euro pa TVSH.
Arsyet e vërteta të anulimit mbeten të panjohura, pasi projekti i ndërtimit të tunelit është shoqëruar me skandale qysh në nisjen e tij. Ndërsa zyrtarisht ARRSH njofton APP se “ka konstatuar që dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.
Ndërkohë, disa javë më parë u deklarua se kanë nisur përgatitjet për vendosjen e tarifës së kalimit në Tunelin e Llogarasë. Konkretisht ARRSH-së shpalli tenderin me vlerë 3.1 milionë euro për vendosjen e disa pajisjeve për të vjelë taksën prej 5 eurosh që është parashikuar të vendoset brenda një kohe të shkurtër. Tuneli u hap para verës 2024, teksa qendroi i hapur disa muaj. Mbyllja u justifikua me disa punë të papërfunduara.
Projekti i sipas dokumenteve të tenderit paraqet vetëm rrugën nga tuneli në Palasë, që është afro 2.7 km. Ndërsa përtej kësaj distance, rruga për në Dhërmi është ndërtuar tashmë.
Tenderi ishte parashikuar të mbahej më 28 prill 2025, por në mënyrë të papritur, është njoftuar anulimi i procedurës. Është një taktikë e njohur e Ballukut, që pasi mëson se kush janë bizneset e interesuara dhe ofertat, shpall anulimin për të vazhduar pazaret jashtë tryezës.
Së fundmi, anulimi i tenderit nga Gentian Gjyli, beniamini i Ballukut pas arrestimit të Berberit, mund të jetë një pazar i lënë përgjysmë! Ndërkohë që firmoste anulimin e këtij tenderi, Gjyli është thirrur në SPAK.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli është paraqitur më 11 prill në SPAK.
Gjyli, një prej të besuarve të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, u paraqit në SPAK edhe në janar, ku sipas burimeve u pyet nga prokurorët e posaçëm lidhur me hetimet që po zhvillohen për abuzimet me tenderat e rrugëve.
Gjyli zëvendësoi Evis Berberin në krye të ARRSH-së, i cili përfundoi në pranga me urdhër të SPAK për akuzën e korrupsionit e pastrimit të parave.