Biznese të ndryshme ngrenë shqetësimin për llogaritje të pasaktë të detyrimit të taksave vendore për vitin 2025, duke mos iu marrë parasysh xhiroja e realizuar në vitin 2024.
Një subjekt me veprimtari restorant, me xhiro prej 7,6 milionë lekësh në vitin 2024, është trajtuar si biznes me xhiro mbi 8 milionë lekë për vitin 2025, duke u kategorizuar në një fashë më të lartë tatimore.
Për rrjedhojë, këtij subjekti i është llogaritur detyrimi prej 112 mijë lekësh për t’u paguar për 2025, për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore dhe tarifës së pastrimit, nga 22,8 mijë lekë që është detyrimi për bizneset në fashën e xhiros nga 2 milionë deri në 8 milionë lekë në vit.
Sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, kategorizimi i bizneseve për qëllime tatimore bëhet në bazë të xhiros së realizuar në vitin paraardhës.
Kjo do të thotë që për vitin 2025, duhet të merret parasysh xhiroja e vitit 2024 për të përcaktuar fashën përkatëse të tatimit. Referuar vendimit të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e sistemit të taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, për llogaritjen e taksës së përkohshme të infrastrukturës arsimore për kategorinë e biznesit njësi prodhimi (ku përfshihet edhe veprimtaria e biznesit restorant), me qarkullim vjetor xhiroje në fashën e 0 deri në 2 milionë lekë, është 8,000 lekë në vit.
Për bizneset me xhiro nga 2 deri në 8 milionë lekë, detyrimi i taksës është 9,000 lekë në vit. Për bizneset me xhiro mbi 8 milionë lekë, taksa është 27,000 lekë në vit.
Tarifa e pastrimit për bizneset e shitjes me pakicë, kategoria “Restorant, fast food etj. të ngjashme me to”, me qarkullim vjetor xhiroje në fashën e 0 deri në 2 milionë lekë, taksa është 5,750 lekë në vit.
Për bizneset me xhiro nga 2 deri në 8 milionë lekë, taksa është 13,800 lekë në vit.
Për bizneset me xhiro mbi 8 milionë lekë, taksa është 85,100 lekë në vit.
Detyrimi për pagesën e këstit të parë të taksave vendore, përfshirë taksën e pastrimit, taksën e tabelës, taksën e infrastrukturës arsimore, taksën mbi truallin, taksën mbi tokën bujqësore dhe taksën e ndërtesës, është brenda datës 20 Prill (ku paguhet 50% e vlerës), ndërsa brenda 30 Qershorit është afati për pagimin e 50% të vlerës së mbetur të detyrimit.
Kontabilistë të një prej studiove të kontabilitetit në Tiranë ngrenë shqetësimin se ka shumë biznese që, në një vit të ushtrimit të aktivitetit të tyre, kanë kaluar mbi 8 milionë lekë dhe në tatim-taksat vendore paguajnë si biznes i madh, duke qenë se kanë pasur përgjegjësinë e tatimit të fitimit në vitin 2023.
Më pas, për 2024 kanë qenë nën 8 milionë lekë, por tatimet nuk e ndryshonin përgjegjësinë tatimore dhe bashkia vazhdonte t’i tarifonte meqenëse ishin të regjistruar me tatim fitim dhe jo me tatim fitim të thjeshtuar.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, për vitin tatimor 2024 vlejnë përgjegjësitë tatimore sipas ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, dhe ky informacion përdoret për përcaktimin e vlerës së detyrimit vendor të subjekteve taksapagues për 2025.
Po ashtu, sipas tyre, për çdo ndryshim që pëson subjekti, duhet të vetëdeklarohet në bazë të Ligjit 9920 “Për procedurat tatimore”.
Bazuar në Ligjin numër 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, kategorizimi bëhet në bazë të vitit paraardhes tatimore. Rrjedhimisht për percaktimin e detyrimeve të vitit 2025, do të përdoret informacioni i grumbulluar për vitin tatimor 2024.
Edhe ekspertë të kontabilitetit pohonjnë se janë të shumta rastet ku mungon koordinimi mes drejtorive rajonale te tatimeve dhe tatim-taksave vendore per reflektim te rasteve te ndryshimit të xhiros, e cila duhet të korrigjohet nga subjektet te inspektorët tatimorë.