Qeveria vendosi vitin e shkuar nisjen e një partneriteti të ri me biznesin privat, për të sjellë atë që po e quan rijetëzimi i pronës shtetërore. Bëhet fjalë për ndërtesa të vjetra, zyra dhe truall shtetëror që nëpërmjet marrëveshjeve do të rikonceptohen në projekte të reja, të cilat do të financohen nga privati. Në këtë nismë, shteti synon përfitimin e hapësirave të reja për zyra pa shpenzuar fonde, teksa privati do të marrë sipërfaqe ndërtimore, e cila do të hyjë në tregun e pasurive të paluajtshme. Korporata e Investimeve Shqiptare është institucioni kryesor që po zbaton këtë projekt, i cili lidhet me zhvillimin dhe menaxhimin e pronave të paluajtshme. Por çfarë përfiton shteti nga kjo formë e re partneriteti, duke nisur nga godinat e reja të Kadastrës dhe kompleksit governativ, te kullat LIFT dhe Void apo rezidencat qeveritare në Velipojë e Vlorë si dhe stadiumi “Selman Stërmasi” dhe godina e re e Bibliotekës Kombëtare.
Në qershor të vitit 2024, qeveria do të niste për herë të parë procedurat për disa projekte që do të ndërtoheshin potencialisht mbi prona shtetërore, në partneritet me privatin.
Gara që ngriti siparin për këtë fazë të re u njoftua si fillim nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe kishte dy lote, ku në disa faza do të përzgjidheshin projektet më të mira, që më pas do të zhvilloheshin në partneritet me sektorin privat.
Në këtë marrëdhënie, shteti do të përfitojë hapësira të reja për zyra, ndërsa privati, i cili do të financojë projektet, do të marrë sipërfaqe ndërtimore për shitje në disa nga zonat më të mira të kryeqytetit që do të hyjnë menjëherë në tregun e pasurive të paluajtshme.
Në shtator të vitit të shkuar u zgjodhën edhe projektet fituese, të cilat tashmë janë në fazën e kërkimit të investitorëve privatë, me të cilët shteti do të hyjë në marrëdhënie partneriteti.
Në këtë proces, roli më i rëndësishëm i është besuar Korporatës Shqiptare të Investimeve, e cila po publikon shpalljet lidhur me thirrjet dhe që do të ndjekë hap pas hapi edhe marrëveshjet.
Tashmë në tryezë projektet janë shtuar dhe kjo formë partneriteti me privatin është shtrirë edhe në disa prona të tjera shtetërore, ndër të tjera stadiumi “Selman Stërmasi”, Biblioteka e re Kombëtare apo vilat qeveritare në Velipojë dhe Vlorë, si pjesë e nënprojektit “Hospitality”.
Kësaj liste, sikurse është deklaruar edhe nga Kryeministri Edi Rama, pritet t’i shtohet edhe Pallati i Kongreseve, një thirrje që ende nuk është hapur, e cila si fillim duhet të kalojë procedurën e kalimit të të drejtave të pronës te Korporata.
Por çfarë parashikojnë këto projekte, çfarë pritet të lëshojë shteti dhe të marrë në këmbim rast pas rasti.
Ndërtimi i godinës së Kadastrës dhe LIFT Tower
Korporata Shqiptare e Investimeve çeli si fillim thirrjen për fazën e parë të dy projekteve, ku së pari është nënprojekti “Ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare”, nëpërmjet kontratës “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Tower”.

Për të mundësuar zhvillimin e godinës së Kadastrës Shqiptare (kushti publik i transferimit të pronës) dhe në mënyrë që institucionet publike të përfitojnë pa kosto 34,000 m² ndërtim me parametra modernë dhe cilësorë, për këtë rast vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për zhvillim me sipërmarrjen të godinës LIFT Tower, prona e saj te rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rreth 2357 m².
Kjo do të thotë se ndërtimi i Godinës së Kadastrës do të bëhet nga rakordimi me pjesën takuese të shtetit në godinën LIFT Tower.

“Në vijim, partneri privat mbulon koston totale të projektit të detajuar arkitektonik, koston totale të lejes së ndërtimit dhe ndërtimin e të gjithë godinës LIFT Tower, në pronën për sipërmarrje, pavarësisht përqindjes së tij në këtë godinë, si dhe mbulon koston totale të projektimit, lejes së ndërtimit dhe ndërtimit total të godinës së Kadastrës Shqiptare, në pronën për zhvillim publik.
Ky projekt, edhe pse arriti të kalonte fazën e parë ku dy kompani aplikuan për të qenë pjesë e garës, në fazën e dytë nuk paraqitën asnjë ofertë ekonomike.
Për rrjedhojë, Korporata në datën 3 mars njoftoi anulimin e procedurës së parë. Në datë 4 mars e njëjta procedurë u çel përsëri duke nisur nga e para dhe duke lënë 17 prillin si afatin e fundit që kompanitë e interesuara të aplikonin.
Ndërtimi i kompleksit Governativ dhe VOID Tower
Nënprojekti i dytë për të hyrë në partneritet me Korporatën e Investimeve Shqiptare është ai për “Ndërtimin dhe menaxhimin e Kompleksit Governativ” me objekt kontrate “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i VOID Tower”.

Korporata nëpërmjet kësaj procedure konkurruese publike njoftoi se synonte të përzgjedhte partnerin privat, në cilësinë e Sipërmarrësit për zhvillimin e pronës për sipërmarrje, duke realizuar projektidenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve Andrea Kaputo & Focus Architecture & OpenFabric & James Beckett.
Ky projekt parashikon ndërtimin e kompleksit governativ në zonën urbane pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në një truall rreth 11,892 m² dhe VOID Tower në zonën urbane në bulevardin “Zhan d’Ark”.
Në këtë kontekst, privati do të zhvillojë ndërtimin tek Aviacioni Civil dhe Parku i Delegacioneve, me pjesën takuese që shteti duhet të marrë tek kulla VOID që do të ndërtohet në Bulevardin Zhan d’Ark.
Ky projekt ka avancuar duke pasur tashmë një kompani fituese, Në fazën e dytë, A.I.B.A Sh.A, në pronësi të Agron Duka.
Stadiumi i ri “Selman Stërmasi”
Në dhjetor të vitit të shkuar, stadiumi “Selman Stermasi” i kaloi Korporatës së Investimeve Shqiptare me një vendim të veçantë të qeverisë, çka e autorizonte këtë të fundit të zhvillojë këtë pronë në partneritet me privatin për një stadium të ri.

Gjatë një aktiviteti të mbajtur me këtë rast, përfaqësues të institucioneve deklaruan se stadiumi i ri “Selman Stërmasi” do të jetë i kategorisë 4 të UEFA, me një numër vendesh 14 mijë deri në 16 mijë.
Në total, sipas institucioneve, territori për shfrytëzim është 60 mijë metër katrorë.
Partneriteti me privatët, shteti “lëshon” tokën për një Bibliotekë të re
Pas transferimit të disa pronave te Korporata e Investimeve Shqiptare nga ana e Këshillit të Ministrave, ky i fundit shpalli në janar thirrjen për zhvillimin me privatët të një tjetër projekti, siç ishte ai për Godinën e re të Bibliotekës Kombëtare.
Kjo e fundit do të zërë vend në disa prona në rrugën “Gramoz Pashko” në afërsi të Qytetit Studenti, me një sipërfaqe trualli prej 27 mijë m2.
Pronat e vënë në dispozicion janë në një zonë të Tiranës e njohur si ish-Vilat Gjermane, ndërkohë që vendimi që transferonte tek Korporata këto prona parashikon disa nënprojekte të tilla si “Copëzat”, “Hospitality” dhe “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”. Në rastin në fjalë kemi të bëjmë me çeljen e thirrjes për nënprojektin e Bibliotekës Kombëtare.
Deri tani nuk ka patur asnjë njoftim për ecurinë e këtij procesi.
VOID Tower dhe Kompleksi Governativ
Për nënprojektin ndërtimi dhe menaxhimi i kompleksit governativ me objekt kontrate “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i VOID Tower” nga Korporata Shqiptare e Investimeve pas fazës së parë të konkurrimit janë kualifikuar katër kompani.
2.Shoqëria “PROGEEN” sh.p.k.
3.Shoqëria “DK Construction ONE Corp”
4.Shoqëria “A.I.B.A Kompani” sh.a.
LIFT Tower dhe Godina e re e Kadastrës
Për nënprojektin, ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare me titull kontrate “Zhvillimi nëpërmjet LIFT Tower”, Korporata njoftoi më herët se ishin të paktën dy kompani që morën pjesë në fazën e parë, që pas vlerësimit kaluan në fazën e dytë.
Gjatë kësaj të fundit, asnjëra prej tyre nuk bëri një ofertë ekonomike duke sjellë për pasojë anulimin e procedurës dhe gjithçka të nisë nga e para me afatin 17 prill për të gjithë kompanitë që duan të aplikojnë për të hyrë në partneritet me shtetin për këtë projekt.
Projekti i stadiumit “Selman Stërmasi”
Në fazën e parë u paraqitën 10 projektide, por për fazën e dytë u kualifikuan vetëm pesë prej tyre.
1.Foster & Partners + Artech Studio sh.p.k + Bolv Oil
2.OMA + Diagonal Projektim & Zbatim sh.p.k. + Albanian Investment Construction sh.p.k
3.Office Kersten Geers David Van Severen + l’AUC + Baukuh + Arquitectura-G + Yellow Office + Ne Arkitektët + Matilde Cassani + Bollinger & Grohmann + ALES Construction
4.Far Frohn & Royas + Progeen sh.p.k
5.ZAHA HADID Architects + AGIKONS
Vilat qeveritare në Vlorë do të kthehen në hotele luksoze
Projekti “Zhvillimi dhe menaxhimi i pronave shtetërore” ka një tjetër nënprojekt të pagëzuar si “Hospitality” dhe që synon të rikonceptojë rezidencat qeveritare të Vlorës në struktura akomodimi elitar.
Aktualisht Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të jetë institucioni që do të udhëheqë konkursin e projektimit.
“Ky projekt ka si synim të transformojë këto rezidenca nga struktura të amortizuara dhe të pashfrytëzuara në qendra bashkëkohore të turizmit elitar dhe zhvillimit ekonomik.
Rezidencat qeveritare në Vlorë ndodhen tek zona që njihet si Uji i Ftohtë, rreth 6 kilometra nga qendra e qytetit. Lidhur me rikonceptimin e tyre janë të paktën tre ndërtesa që janë pjesë e konkursit.
Rikonceptohet edhe vila qeveritare në Velipojë, hotel markë ndërkombëtare
Vila qeveritare në Velipojë pritet të jetë gjithashtu pjesë e një marrëveshjeje partneriteti me sektorin privat për ta rikonceptuar atë në një strukturë elitare, por si fillim faza ku ndodhet ky proces është ajo e garës për të zgjedhur projektin më të përshtatshëm.
Korporata e Investimeve Shqiptare njoftoi se kjo pasuri, pjesë e projektit të përgjithshëm “Zhvillimi dhe menaxhimi i pronave shtetërore”, përmes nënprojektit “Hospitality”, është nxjerrë për interes dhe afati i fundit për aplikim është data 28 shkurt.
Projekti do të luajë një rol të rëndësishëm në rigjallërimin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave, duke i kthyer këto prona të nënshfrytëzuara në qendra tërheqëse që reflektojnë harmoninë mes inovacionit dhe peizazhit unik natyror.