Zyrtarët qeveritarë kanë bllokuar punën e 73 firmave të vogla që merren me kultivimin e midhjes në liqenin e Buf-Xarrës, pranë Butrintit në Sarandë, duke mos u rinovuar lejet dhe kontratat me të cilat vendasit punojnë prej rreth 30 vitesh.
Kultivuesit që ushqejnë familjet me punën me midhjet, akuzojnë se padrejtësisht po u mohohet aktiviteti nga zyrtarët vendorë e qendrorë, për të favorizuar oligarkë të biznesit të madh, që me anë të partneriteteve të dyshimta “PPP” po gllabërojnë çdo hapësirë terreni e biznesi, duke u hequr aktivitetin e të ardhurat banorëve të zonës.
Kompania e peshkut “Rozafa” e biznesmenit të preferuar qeveritar Gjergj Luca, akuzohet se ka shkatërruar bizneset e vogla me aktivitet të ligjshëm dhe korrekte me detyrimet ndaj shtetit.
Me urdhrin e mos-rinovimit të lejeve për 73 subjekteve që kultivojnë midhje, duket se objektivi është në fakt që këtë biznes në Butrint ta bëjë vetëm kompania Luca, që raportohet se ka marrë në përdorim me PPP liqenin e Buf-Xarrës dhe Pritën Ujore të Rrëzës.
Në fillim të muajit, një përfaqësi e kultivuesve të midhjeve protestuan në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandës, duke hedhur një arkë me midhje para këshilltarëve socialistë, por ata duket nuk kanë fuqi e guxim të flasin, prej urdhrave që vijnë nga lart.
Këto koncesion në zonën e Butrintit, Gjergj Lucës ia ka dhënë ish-Ministri i Bujqësisë, Bledar Çuçi, me ankand të zhvilluar në datën 17 shtator 2020 e me afat 10 vite, me të drejtë të përsërisë kontratën edhe dy herë të tjera, por natyrisht me pëlqimin edhe të Ministrisë së Bujqësisë, e cila prej vitesh punon në shërbim të oligarkëve dhe jo qytetarëve.
Luca raportohet se ka marrë rreth 2 miliardë Euro biznese e pasuri shtetërore në Elbasan, Librazhd, Përrenjas, Gramsh e Maliq, përveç favoreve të tjera administrative e fiskale.