Edhe pse jo më largë se disa ditë nga protesta e banorëve të Zall Dajtit, për ndotjen e shkaktuar nga fabrika e asfaltit të “Gjoka Construction”, përsëri ndotja është bërë më e rëndë dhe Rrok Gjoka vazhdon të punojë i qet dhe i pa shqetësuar nga institucionet përgjegjëse.
Megjithë denoncimet për dëmin e shëndetit njerëzor dhe atë ekologjik, qeveritarët dhe klientët e tyre ndërtues duket se nuk e kanë problem të marrin në qafë jetën e bashkëqytetarëve të tyre, kur është fjala për biznes dhe fitime.
Fabrika e asfaltit për fat të keq është kthyer në mallkimin e banorëve të zonës, duke helmuar çdo ditë ajrin e tyre, ndërsa mjetet e saj të rënda shkatërrojnë rrugët duke izoluar fshatrat përreth.
Por çuditërisht shteti që supozohet t’i shërbejë qytetarëve nuk ka lejuar banorët të ndërtojnë shtëpi për nevojat e tyre, por lejon oligarkun e tij Rrok Gjokën të përpunojë asfaltin në park, duke ndotur zonën dhe gjymtuar shëndetin e njerëzve, me qëllim ngritjen e pallateve të betonit në Tiranë.
Fabrika është ngritur brenda një zone të mbrojtur dhe ka shkaktuar pasojë të mëdha mjedisore, duke përfshirë ndotje ajri, devijim të lumit dhe dëmtim të tokave bujqësore. Po ashtu, është privatizuar një rrugë publike, duke izoluar banorët dhe penguar lëvizjen e tyre.
Çudia më e madhe është se përse nuk reagon Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani, për këtë krim mjedisor që shkaktohet nga kompania “Gjoka Construction”? A po i respekton kushtet e lejes mjedisore kjo kompani për nivelin e ndotjes? Llogjikisht vetëm diçka i detyron titullarët e institucioneve që të heshtin në këtë rast, korruptimi i tyre gjatë miratimit të lejes mjedisore, mbyllja e syve përball mosrespektimit të kushteve të lejes mjedisore, si dhe marrëveshjet klienteliste të Edi Ramës me Rrok Gjokën.