Një “luftë” e ashpër mes dy firmave, ECO Riciklim dhe V.A.L.E Recycling, në pronësi të Arbër Teqjas dhe Elvis Mirit, ka zbuluar një skemë të dyshuar korrupsioni me tenderët e mbetjeve spitalore. Kjo ka sjellë që edhe institucionet shtetërore të favorizojnë njërin apo tjetrin, teksa me vendime të këtyre autoriteteve është zbuluar edhe skema e përfitimit të miliona eurove.
Sasia e madhe e mbetjeve spitalore në QSUNT alarmuan institucionet, pasi në vend që njerëzit të kurohen në spitalin më të madh në vend, pacientët apo familjarët rrezikojnë të marrin sëmundje akoma më të rënda. Pas këtyre pamjeve ka dyshime se fshihet një skemë e stërmadhe korrupsioni, nisur edhe nga drejtoria e QSUNT-së, e cila një ditë pasi këto pamje bënë xhiron e rrjetit, hapi një super tender për asgjësimin e mbetjeve spitalore. Edhe në procedura të mëparshme, të dy firmat kanë përplasur “brirët”, teksa në letra shkruajnë për favorizime për njërën apo tjetrën. Madje, njëri prej tyre (Elvis Miri) u arrestua disa muaj më parë, ku “çudia” zgjati vetëm disa javë, pasi ai u lirua dhe me vendim gjykate hoqi edhe pezullimin për të marrë pjesë në tendera. Ndërkohë, tjetri (Arbër Teqja) u godit indirekt, teksa firma që ka pasur në pronësi dhe dyshohej se drejtohej ende prej tij, MSE, u përjashtua 2 vite nga tenderët.
Pro, të dyja firmat, megjithëse me “cene” të mëdha, vijojnë të marrin pjesë dhe të fitojnë tenderat e asgjesimit të mbetjeve spitalore, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se pas tyre qendrojnë njerëz me pushtet, ku me influencat e tyre arrijnë që të xhirojnë miliona euro.
Në APP është publikuar njoftimi për shërbim, marrëveshje kuadër me një firmë ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara. Objekti i kontratës është “trajtim dhe asgjësim i mbetjeve spitalore të rrezikshme për 24 muaj (kodet 18.01.01, 18.01.03, 18.01.08)”. Bëhet fjalë për mbledhje, transport dhe asgjësim i mbetjeve spitalore, me një fond prej 141,945,170 lekë pa TVSH. Tenderi do të bëhet në datën 12 mars 2025.
Referuar dokumenteve shoqëruese, rezulton se sasia për nevojat e AK për 24 muaj parashikohet në 465,394 kg.
Por, kush pritet të marrë pjesë në këtë tender të QSUNT-së?! Në disa procedura të mëparshme, ku më e fundit ka qenë tenderi i Spitalit Rajonal të Shkodrës, me objekt “trajtim dhe asgjësimin i mbetjeve të rrezikshme” me një fond prej 11.352.000 lekë pa TVSH, ose 115 mijë eurosh, garuan “Medi Tel”, me ofertë 8.5 milionë lekë, “Vale Recycling” me vlerë 10 milionë lekë dhe “Eco Riciklim” me vlerë 11.3 milionë lekë, ose sa 100 % e fondit limit.
Spitali i Shkodrës s’kualifikoi dy ofertat më të ulta, duke kualifikuar vetëm ofertën e “Eco Riciklim”, të Arbër Teqjas, që ofroi njësoj sa ishte edhe fondi. Dy firmat e skualifikuara iu drejtuan KPP-së, e cila pranoi vetëm kërkesën e “Medi Tel”. Ndërkohë, në vendimin e KPP-së është edhe ankesa e firmës “V.A.L.E RECYCLING” me pronar Elvis Miri. Ky i fundit u arrestua në qershor të vitit 2024 për abuzime me dokumentet që merrte pjesë në tenderat e mbetjeve spitalore. Ai u akuzua se ka marrë pjesë në mbi 200 tendera për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016, teksa ka akuzohet se ka mashtruar në lidhje me pajisjet e kompanisë.
“Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale ‘falsifikimi i dokumenteve’, ‘menaxhimi i mbetjeve’ dhe ‘aktivitetet e rrezikshme’” tha policia në 2024-ën. Krahas tij u akuzuan edhe disa inspektore të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. “Nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë” do të deklaronte policia.
Pas hetimeve dhe arrestimit, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit i pezulloi lejen mjedisore këtij subjekti. Firma i është drejtuar gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ku ndër të tjera, ka kërkuar sigurimin e padisë për pezullimin e zbatimit të këtij akti. Kjo gjykatë ka pranuar kërkesën “duke pezulluar zbatimin e aktit administrativ deri në zgjidhjen përfundimtare të cështjes administrative”. Disa muaj pas hetimeve dhe arrestimeve, Elvis Miri fillimisht u lirua nga gjykata dhe më pas, në muajin janar 2025, u rikthye si administrator i firmës “V.A.L.E RECYCLING”. Operacioni, sipas këtyre dokumenteve dhe veprimeve, rezultoi vetëm një “flluskë”, pasi ai arriti që brenda disa muajsh të rikthehej në tenderat publikë.
Firma e tij konkurroi në tenderin e Spitalit të Shkodrës, teksa për nga vlera u rendit e dyta. Njëri nga anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik e pranoi ankesën e kësaj firme, duke i dhënë të drejtë të marri pjesë. A ishte kjo një “shenjë” se Miri do të konkurrojë përballë Teqjas në tenderin me vlerë 1.4 milionë euro nga QSUNT?!
Por, cilët do të ketë përballë Miri në këtë tender? Natyrisht, të njëjta firma që konkurruan edhe në Shkodër, por kësaj herë gara pritet të jetë mes “ECO RICIKLIM” vs “V.A.L.E RECYCLING”! Të njëjtat që kanë garuar edhe në të kaluarën dhe kanë hedhur akuza të rënda ndaj njëri tjetrit. Firma “ECO RICIKLIM” ka si pronar me 70 % të aksioneve z. Arbër Teqja, djali i nëndrejtoreshës së QSUNT-së, Arjana Strakosha. Ai e ushtron aktivitetin në Elbasan. Në vitin 2023 ai ka deklaruar një fitim prej 500 mijë eurosh, teksa ka pasur në pronësi edhe firmën MSE, e cila ka fituar miliona euro nga QSUNT.
Ai e shiti këtë firmë te disa shtetas rusë dhe bullgarë. Së fundmi, firma MSE u përjashtua nga vetë QSUNT nga tenderët për 2 vite, pasi kishte paraqitur dokumente të rremë.
Në një vendim të KPP-së, me numër 2434/ 8 prot, i datës 17 nëntor 2023, firma “V.A.L.E. RECYCLING” ankohej për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për një tender.
Bëhej fjalë për procedurën “shërbimi i trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve spitalore, për mbulimin e nevojave spitalore për një periudhë 36 mujore”. Fondi ishte 785.788.138 lekë pa TVSH, që parashikohej të bëhej në datën 14 prill 2023.
“Çuditërisht, vetëm shoqëria ‘Eco Riciklim’ shpk (shoqëria e paracaktuar fituese), referuar dhe dokumentacionit shoqërues të ankesës rezulton të ketë kapacitetin e kërkuar nga AK si më sipër, ndërsa të tre subjektet juridik të marrë së bashku nuk e arrijnë dot kufirin minimal të vendosur nga ana e autoritetit kontraktor per kapacitetin e autoklaves. Për çudi, rezulton se kjo shoqëri është licensuar vetëm 3 muaj përpara zhvillimit të procedurës së prokurimit dhe pikërisht me të njëjtin kapacitet të vendosur si kriter nga AK në DST” ishte akuza e rëndë e firmës.
Ndërkohë, ankesa u pranua pasi Ministria “jo vetëm nuk po nxit pjesëmarrjen e operatorëve ekonomik, por përkundrazi po e kufizon atë vetëm drejt një subjekti të vetëm, e konkretisht shoqërisë se paracaktuar prej tyre”. Në fund, Ministria bëri prapaktheu dhe e anuloi procedurën.
Tashmë, me rikthimin e “V.A.L.E. RECYCLING” gara pritet të bëhet akoma më e fortë në tenderin e QSUNT-së, ku përballë do të jenë sërish dy armiqtë. Njëri me “krahë ende të ngrohtë” në spital dhe tjetri me influenca.