Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka shkakrkuar nga detyra drejtoreshën e spitalit të Librazhdit, Fatbardha Qatja.
Lajmin e ka bërë me dije kjo e fundit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku tregon se vendimi i ka ardhur në mënyrë të papritur dhe papandehur në rrugë postare mëngjesin e djeshëm (e hënë), pa i dhënë asnjë shkak apo arsye.
Qatja e konsideron këtë vendim të Koçiut një “maskaradë” si në epokën e “qoftë largut”, teksa hedh edhe akuza drejt Postës. Ajo shkruan se shkresa mban datën 28 Shkurt, por ndërkohë, i ka ardhur me “vrap” mëngjesin e djeshëm dhe sipas saj, Posta ka punuar vetëm për të në fundjavë, duke qenë se nga 3 Marsi (dita e sotme) pezullohen lëvizjet në administratë për shkak të zgjedhjeve.
Ajo e konsideron si një shkarkim nga detyra pa ekuivok dhe në shkelje të rënda, teksa shtron pyetjen se ku do i ushqejë fëmijët tani që e flakën në rrugë, pasi pretendon se gjatë ushtrimit të detyrës nuk ka marrë gjë tjetër veç rrogës. Fatbardha Qatja shkruan se ajo nuk ka qenë drejtoreshë “kapadai” që në rrugë korruptive ka mbledhur “dhjamë” dhe nëse rri pa punë ka “dhjamin” për t’ u djegur.
Edhe pse nuk jep detaje konkrete, Qatja lë të kuptohet se ministrja Koçiu e ka shkarkuar nga detyra, për t’ iu bërë qejfin dikujt që e ka “shkelur në kallo” me drejtësinë dhe korrektësinë e saj duke zbatuar ligjin.
Reagimi i drejtoreshës së shkarkuar Fatbardha Qatja:
Miqtë e mi! Sot pa pritur dhe papandehur më vjen një shkresë në rrugë “postare” ku kërkohej largimi im rrufe nga puna.
As shkak, as arsye. Çudi, as një njoftim paraprak, dhe për më tepër as njoftim që do të bëhej shkarkimi.
Si në epokën e “qoftë largut”, ishte kjo maskaradë sot.
Nuk është hataja se të përkohshëm jemi madje edhe jeta jonë e përkohshme është. Po përse bëhet ky shkarkim?! Nuk dua ta besoj që digasteri ministror që unë kam punuar si institucion vartës me ta, të arrijë në këtë derexhe.
Është nënshkruar nga ministrja që më datë 28 shkurt dhe si ka mundësi që vrap e vrap, posta e solli sot më dt.3 mars, që në 8 e 30 të mëngjesit?!
A vetëm për mua paska punuar shërbimi postar në ditë pushimi?
E gjitha kjo, meqë nga dt 3 mars, fillojnë pezullimet e lëvizjeve në administratë, posta vrap e vrap mbërriu te Spitali Librazhd.
Një heqje pa ekuivok besoj bëhet në shkeljet tejet të rënda. Dua të jem transparente,
Unë nuk jam drejtor “kapadai” që në rrugë korruptive kam mbledhur “dhjamë” dhe nëse rri pa punë kam dhjamin për t’ u djegur.
Unë nga shteti im vetëm rrogën kam marrë, asgjë tjetër. Meqë më hoqët urgjent nga puna, ku do të ushqehet fëmija im?
Unë jam nënë para se të jem drejtuese apo punonjëse. Ti si shtet, ku mendon se do të jem unë nesër?! Të më flakësh në rrugë? Ky është #EKZEKUTIM.
Në emër të kujt? Dhe pse?! Pse qënkam problem?! Pse punoj? Pse nuk korruptohem? Pse zbatoj ligjin?! Çfarë mund të pres më pas kësaj?
E gjitha për t’ iu bërë qejfi dikujt që e kam shkelur në kallo me drejtësinë time, me korrektësinë time duke zbatuar ligjin.
Përpos kësaj, mirënjohëse pafund stafit të Spitalit Librazhd& Prrenjas. E privilegjuar për 1 vit e 5 muaj, që kemi punuar dhe kemi ndarë çdo sfidë bashkë. Konsiderata për #JU meriton një status tjetër në një moment sa më të afërt.