Në ditën kur u vendos kalimi i ish-kryeministrit socialist Pandeli Majko për fushatë elektorale nga Kukësi në Tiranë, kreu i PD Sali Berisha e akuzoi Majkon për përfshirje në krime elektorale.
Madje zoti Berisha shkoi më tej kur tha se “SHISH për këtë kishte kryer një përgjim ambiental në një lokal në Kukës”.
Vetë Pandeli Majko përmes kryetares së kuvendit Elisa Spiropali i drejtoi një kërkesë SHISH, për të marrë informacion pas këtij pretendimi të pohuar publikisht në një konferencë për shtyp nga Sali Berisha.
Në vijim të kërkesës, SHISH është përgjigjur se: “Nuk kemi bërë dhe as nuk disponojmë ndonjë përgjim ambiental apo në forma të tjera, ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Pandeli Majko. Ligji për SHISH e parashikon qartësisht mënyrën, formën dhe marrjen e lejeve përkatëse se kur dhe si përgjohet një deputet i parlamentit”.
Kjo përgjigje i jep fund përplasjes Berisha-Majko mbase edhe duke kthyer paqen në heshtje mes tyre.
Pandeli Majko e përjashtoi mundësinë e ngritjes së një padie për shpifje ndaj zotit Berisha.
“Unë e kam parim. Nuk para bëj akuza për natyra të tilla. Nuk e kam bërë për asnjë gazetar apo politikan pasi mendoj se nëse do të merresha më këtë do të duhej shumë kohë dhe financim. Mendoj se çdo qytetar e ka shumë të qartë se unë nuk mund të shkoja në Kukës e të fitoja zgjedhjet duke shitur shtylla”-deklaroi Majko për disa javë më parë.