Nisin tensionet për Primaret në PD. Ashtu sikundër pritej, ky proces ka “nxehur gjakrat” mes grupit të Bardhit dhe atij të Sali Berishës. Sipas të dhënave më të fundit, në Fier ka plasur sherri mes vetë Gazmet Bardhit dhe deputetit fierak Luan Baçi.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë procesit që po zhvillohet në teatrin Bylis, Bardhi nuk ka pranuar që në votim të marrin pjesë anëtarët e regjistruar në PD pas vitit 2021. Kjo ka sjellë përplasje të forta me Baçin. Mësohet se të dy i janë drejtuar selisë së PD-së në qytet ku kanë debatuar me tone të larta.
Mësohet se Bardhi ka pasur edhe një konflikt me komisionin e votimit pikërisht për këtë çështje, duke i akuzuar ata si njerëz të vendosur nga Luan Baçi.
Në degën e PD Fier janë të regjistruar rreth 7 mijë anëtarë partie, por pjesëmarrja në procesin e primareve deri në orët e drekës ishte shumë e ulët në të gjithë qarkun.
Ndërkohë përplasje ka pasur dhe në Sarandë. Një anëtar i PD në këtë qytet, Ilir Mulla ka bërë publike dorëheqjen e tij nga partia, duke ngritur akuza të forta për manipulim dhe parregullsi në procesin e primareve.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, ai shpreh zhgënjimin e tij për mënyrën se si është organizuar votimi, duke theksuar se nuk e ka gjetur emrin e tij në listën e votuesve.
“Sot bëj dorëheqje nga Partia Demokratike! Zgjedhjet e primareve në Sarandë janë kthyer në dallaver e manipulim! Kam qenë anëtar për kaq kohë dhe kam votuar disa herë, pse sot nuk ishte emri im në listën e votuesve? Si puna ime kishte dhe disa të tjerë! Pse bëhen këto primare? Fallco, apo të fitojë kush e meriton?“, shprehet ai.
Procesi i Primareve për zgjedhjet për Kuvend të 11 maj 2025, është hapur në të gjitha qendrat e votimit në të gjithë Shqipërinë në orën 8.00.
Pjesëmarrja më e lartë është në Tiranë, ku deri në orën 12:00 votuan 3.936 qytetarë. Në vend të dytë renditet Korça, ku 2.033 demokratë hodhën votën në kutitë e votimit, ndërsa në vend të tretë është Shkodra me 2.033 votues.