Hamz Islamaj është pronari i kompanisë ”BE-IS” shpk, e cila ka marrë tendera nga Rindërtimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe koncesione nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Aferat e drejtorit të kabinetit të zv. kryeministres Balluku
Në gusht 2021, Ministrja Belinda Balluku do të afronte si këshilltar ligjor në stafin e Ministrisë së Infrastrukturës avokatin e ri Ermal Nufi. Aktualisht, me vendim të Këshillit të Ministrave, Nufi është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ex-officio kryeson Bordin e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor.
Prej gushtit të vitit 2022, Nufi mban pozicionin e drejtorit të kabinetit të zv. kryeministres Balluku.
Por pse e ka mbështetur Balluku avokatin e ri për të ngjitur me shpejtësi hapat drejt kupolës së pushtetit?
Në fakt, Ermal Nufi dhe Ami Kozeli janë bazat që mbajnë në këmbë pushtetin e Ballukut dhe në të njëjtën kohë janë nën dyshimin e fortë për konflikte interesi me detyrën.
Konkretisht zv.ministri Ami Kozeli dhe vëllai i Drejtorit të kabinetit të zv. kryeministres Edmir Nufi së bashku rezultojnë anëtarë të Bordit Këshillimor te Koorporata e Investimeve Shqiptare, e cila përforcon dyshimet për nepotizëm dhe konflikte interesi brenda zyrës së Ballukut.
Zv.ministri Kozeli edhe vëllai i Ermal Nufit, Edmir Nufi rezulton ortak me biznesmenë që marrin fonde publike, konkretisht me Hamz Islamaj te kompania e transportit të kontenierëve “MARITIME LOGISTICS”, e cila ngre dyshime të pastra për konflikte interesi për shkak të tenderave të përfituara nga institucionet në varësi të Belinda Ballukut dhe Ermal Nufit.
Në 20 janar 2021, te Terminali i Kontenierëve në Durrës, Edmir Nufi, Hamz Islamaj dhe Olsi Korça do të themelonin kompaninë “MARITIME LOGISTICS”, e cila kishte si objekt veprimtarie ngarkim-shkarkimin e mallrave dhe veprimtari të tjera, por që shumë shpejt do të fillonte likujdimin.
Jetëgjatësia e kësaj kompanie ishte shumë e shkurtër pasi në 31 gusht 2022, të tre ortakët miratuan raportin e likujdimit të kompanisë, duke sjellë dhe çregjistrimin nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Hapja dhe mbyllja e kompanisë brenda një kohe të shkurtër ngre dyshime për qëllimet e aktivitetit të kësaj kompanie dhe ortakëve të saj.
Hamz Islamaj është pronari i kompanisë ”BE-IS” shpk, e cila ka marrë tendera nga Rindërtimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe koncesione nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga të dhënat e publikuara në Open Data Albania, kjo kompani në 5 vitet e fundit ka përfituar 44 milionë euro pagesa nga thesari i shtetit, duke përjashtuar tenderat që ka marrë në bashkëpunim me kompanitë e tjera.
Por a kemi konflikt interesi në këtë rast?
Në 29 qershor 2022, Këshilli i Ministrave do të emëronte si kryetar të Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Ermal Nufin dhe 3 ditë më pas, në 1 korrik 2022, Hamz Islamaj do të fitonte tenderin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 879 milionë lekë ose 879 mijë euro, duke qenë ortak njëkohësisht në një kompani tjetër me Edmir Nufin, vëllain e kreut të ri të Bordit të ARRSH-së.
Konkretisht bashkimi i kompanive “BE-IS” dhe “ERGI” shpk do të shpalleshin fitues nga ish Drejtori Evis Berberi për Lotin 8 “Mirembajtje me performance e segmenteve rrugore Fier Shegan – Divjake + K/Rr. Nacionale – Grabian + Strume – Qafe Marinez”, edhe pse kishte kompani të tjera me oferta më ekonomike.
Por ky nuk është i vetmi tender, që lidhet me kohën e Ermal Nufit si person me rëndësi që mund të ketë ndikuar për tenderat pasi në 13 shtator 2022, përsëri “BE-IS” shpk së bashku me “ERGI” shpk do të fitonin tenderin me vlerë 372 milionë lekë ose 3.7 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për kontratën “Nderhyrje ne zona sportive dhe lodra per femije “Dua te luaj” (rajoni 1 dhe 2)”.
Sipas ligjit për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, zv.kryeministri është kryetari i Këshillit Drejtues, në këtë rast Belinda Balluku dhe sipas nenit 11, pika 1/c Këshilli miraton marrëveshjet e zbatimit dhe/ose të financimit të projekteve.
Në këtë rast Ermal Nufi është Drejtor i kabinetit të zv.kryeministres prej gushtit 2022 dhe ka dyshime të forta, që mund të ketë ndikuar për këtë tender që është fituar nga ish ortaku i vëllait të vet.
Megjithatë “BE-IS” shpk nuk ka lidhje vetëm me vëllain e Drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku, por rezulton e lidhur edhe me Drejtorin në Ministrinë e Infrastrukturës për Programet e Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë, Mehmet Hasalami nëpërmjet djalit të vet Devis Hasalami.