Plasin debatet dhe pakënaqësitë në radhët e socialistëve. Ndonëse kryeministri pret të marrë mandatin e katërt, brenda selisë rozë situata është nxehur.
Sipas informacioneve rezulton se në degën e PS-së në Kukës kanë plasur konfliktet. Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, në bashkëpunim me drejtuesin politik atje Eduard Shalsi, kanë vendosur të reformojnë degën pak muaj para zgjedhjeve. Dy bashkëkryetarët e degës Anila Sokoli dhe Besmir Lamallari janë larguar nga drejtimi i PS Kukës.
Në këtë post është deleguar kreu i bashkisë Albert Halilaj. Mirëpo një gjë e tillë ka shkaktuar pakënaqësi. Vetë socialistët janë ngritur kundër një lëvizje të tillë, pakënaqësi e shprehur edhe në rrjetet sociale.
“Përse Klosi, bashkë me Shalsin edhe drejtuesi politik apo funksionarë të tjerë të pushtetit lokal hedhin poshtë kontributin e socialistëve të ndershëm dhe të palodhur në kontributin ndaj PS-së Kukës edhe kur PS-ja ka qenë në ditët e saj me të vështira? Apo kalova lumin të dhjefsha kalin? Si mund të persekutohen njerëz me kontribute të mëdha në PS-në Kukës? PS-ja e Kukësit po dëmtohet rëndë, dhe po hidhet poshtë kontributi i anëtarëve të saj më të palodhur dhe me kontribut”, thekson një socialist.
Ndërkohë një tjetër i ka komentuar te faqja e PS në rrjetet sociale gjatë takimeve të reklamuara aty dhe thekson faktin që në punë mbahen demokratët.
“Jam socialist, por të premtoj se asnjë votë nga fisi im nuk ke. Në punë keni fut krejt demokratët. Keni bërë Drejtor Ujësjellsi kryetar partie të PD. Nuk e di qa kërkon aty Sami Mata me qa partie është ky lepirs. Po largoni socialistat”, shprehet një tjetër.
Pra largimi i Majkos nga Kukësi nuk ka qenë dhe aq kot. Situata atje ka qenë e nxehtë dhe Rama dërgoi Shalsin me shpresën se PS do bashkohej, por duket se po bëhet më keq.