Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më datë 10 Shkurt, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë vënë në jetë një skemë të organizuar për përfitime të paligjshme. SPAK zbuloi se fonde publike dhe leje ndërtimi që firmoseshin nga kryebashkiaku për disa subjekte tregtare, përfundonin te disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, apo dhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh. Këto informacione konfidenciale që shërbyen për prokurorët specialë që të zbardhnin skemën korruptive të Veliajt janë denoncuar nga një qytetar me emrin Nesti Angoni, i cili nuk ekziston, fakt ky i pranuar nga Veliaj dhe vetë SPAK.
Kryebashkiaku i Tiranës tha në dhjetorin e 2024 pas përballjes së tij me hetuesit, se denoncimi është një kurth i sajuar anonim. Veliaj nuk dha më detaje të mëtejshme. Por kush është ky personazh që nuk ekziston? Nëse duam të zbulojmë identitetin e anonimit Nesti Angoni, duhet të shikojmë disa aspekte ligjore dhe politike. E para, duhet të mendojmë për dikë të brendshëm që ka njohuri për detaje të rëndësishme, por që nuk mund të dalë hapur dhe të identifikohet. E dyta, duhet të jetë dikush që ka një motiv të fortë për të denoncuar dhe për ta dëmtuar Erion Veliajn. Në Partinë Socialiste, kush mund të jetë armiku më i egër i Veliajt? Nga e gjithë panorama politike në PS, Belinda Balluku është përmendur shpesh si një rivale e fortë e tij.
Faktet që nxjerrin zbuluar identitetin e Nesti Angonit (Belinda Ballukut)
Gjatë gjithë kësaj kohe, nga përkrahësit publikë të Veliajt është përhapur një aludim se një pjesë e sulmit ndaj tij vjen nga Partia Socialiste dhe një grup brenda qeverisë, që kanë qenë gjithmonë kundër atij që konsiderohej si delfini i Ramës. Madje edhe mbrojtësit mediatikë të Veliajt dolën hapur me idenë se kryebashkiaku po goditet nga Belinda Balluku. “Pra, denoncuesi anonim i ka kërkuar SPAK-ut të gjurmojë, pasi sipas tij Veliaj ka qenë me një person tjetër në të njëjtin avion. Pikëpyetja që natyrshëm ngrihet, është se si e ka gjetur ky anonim inekzistent aksesin për të gërmuar në regjistrat e Aviacionit Civil dhe të gjejë një informacion kaq konfidencial se në avion me Veliajn 20 vite më parë ka qenë dhe një person tjetër, biznesmen, kur sistemi TIMS as nuk ka ekzistuar në atë kohë. Kush është burimi i “kallëzuesit anonim shumë të informuar” që ka gjetur një dokument jo publik nga lista e Aviacionit Civil”?
Pra nuk ka dyshim se me gisht tregohet zv/kryeministrja Balluku, si një nga personat që qëndron pas denoncuesit të rremë Nesti Angoni. Ky është versioni që u shpërnda nga mediat pranë Veliajt. Madje këtë tezë e përforcoi edhe më shumë Arben Ahmetaj, i cili ka qenë një nga njerëzit më të rëndësishëm në PS. Nga arratia në Zvicër, ai tha se Balluku ka paguar njerëz për të protestuar kundër Erion Veliajt. “Po, pooo. Njerëz të saj kanë paguar njerëz për të shkuar në protestë. Ore shiko se kur të mbarosh këtë intervistën do ulesh me njerëz, kolegë të tu gazetar dhe do thonë, po ne i dimë këto o burrë, ca tha… thojini pra”, tha Ahmetaj. Këto fakte ngrenë dyshime të forta se “Nesti Angoni” nuk mund të jetë një qytetar i thjeshtë, por më shumë një person brenda strukturave të qeverisë, që ka patur akses në informacione dhe skema korruptive të Bashkisë së Tiranës. Nëse ky person ka pasur akses në informacionet e brendshme që implikojnë Veliajn, kjo tregon se ai ka qenë një individ i lidhur ngushtë me politikën dhe administratën e lartë, dhe jo një person nga jashtë. Kjo i jep më shumë peshë tezës se Belinda Balluku mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë denoncim.
Detajet
Ky rast është vetëm një nga shumë që pasqyrojnë përplasjet dhe rivalitetet brenda strukturave të pushtetit në Shqipëri. Për momentin, pa prova të plota dhe të verifikueshme, teoria se Belinda Balluku ka luajtur një rol kyç në denoncimin e Veliajt mbetet një spekulim. Megjithatë, këto spekulime pasqyrojnë një realitet të errët dhe të paqartë të politikës shqiptare, ku lufta për pushtet shpesh kalon përtej kufijve të etikës dhe drejtësisë. Ndonëse ka shumë hije misteri që mbulojnë këtë ngjarje, kjo histori është një pasqyrë e qartë e realiteteve të politikanëve të lartë shqiptarë, të cilët shpesh janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet për të arritur qëllimet e tyre…