Prokuroria e Posaçme duket se është “mbytur” nga paditë për ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë shtetërore. Që prej vitit 2019 kur dhe nisi punë ky organ, është parë si mjeti kryesor në luftën ndaj korrupsionit, duke bërë që dhe ata që e sulmojnë dhe e anatemojnë, të shkojnë dhe të dorëzojnë padi.
Vetë kreu i saj Altin Dumani shpesh herë është ankuar për volumin e madh të punës, ku në shumë raste janë treguar pamje të dosjeve të vendosura në dysheme dhe sipër tavolinave për shkak të mungesës së hapësirës.
Sipas të dhënave zyrtare të siguruar nga Prokuroria e Posaçme, që nga themelimi i saj dhe deri në fund të vitit 2024, ka pasur afro 900 padi për vepra penale në fushën e korrupsionit.
“Në lidhje me pikën 2, rezulton se 892 është numri i kallëzimeve penale për zyrtarët për periudhën 2019 deri në dhjetor 2024, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248, 258, 259, 260, 257/a, 319/ç dhe 328/b të K.Penal”, njofton SPAK.
Pra vepra të parashikuar kryesisht nga nenet: Neni 248- Shpërdorimi i detyrës; Neni 258- Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë; 259- Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike; 257/- Fshehje pasurie; Neni 319-ç: Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve; Neni 328-b: Korrupsioni pasiv në zgjedhje, etj.
Po ashtu, organi i akuzës njofton se në periudhën kohore 01.03.2024-30.11.2024, janë regjistruar 146 persona nën hetim për veprat penale që lidhen me korrupsionin. Nga këta, 14 janë zyrtarë të nivelit të lartë.
Deri më tani kemi disa emra që po përballen me drejtësinë. Sali Berisha është dërguar për gjykim, Ilir Meta ndodhet në qeli, teksa së fundmi u arrestua dhe kryebashkiaku i Tiranës. Këta mund të themi se janë 3 më të rëndësishmit. Por duket se nuk do të jenë të vetmit. Sipas SPAK, ka padi dhe për shumë emra të tjerë dhe mund të ketë zhvillime nga dita në ditë.