Laert Haxhiu akuzohet për një sërë krimesh të rënda, mes të cilëve edhe vrasja e Gerti Lalës më 8 Korrik të vitit 2010 në Lushnje. Vrasja e tij ndodhi para hyrjes së pallatit ku banonte dhe para se autorët ta godisnin me sende të forta dhe ta qëllonin me armë zjarri, mes tyre ka pasur një debat.
Emisioni “Gjërat tona” sjell dëshminë e nënës së Gerti Lalës, Vangjeli Lala, e cila ka deklaruar se, rreth orës 23:00 të natës kur ndodhi ngjarja ka dëgjuar zhurmë që vinte nga jashtë. Fillimisht ka ndjerë hapa, më vonë ka dëgjuar zhurmë sikur po ziheshin para se ata ta ekzekutonin me armë.
Gjatë debatit të zhvilluar midis djalit të saj dhe autorëve, Vangjeli Lala ka arritur të dëgjojë fjalët: “Çfarë keni me mua unë nuk ju kam bërë gjë…”
“Fillimisht ndjeva hapa, më vonë dëgjova zhurmë sikur po ziheshin. Gjatë debatit kam dëgjuar fjalët: “Çfarë keni me mua, unë nuk kam bërë gjë…, fjalë të djalit tim dhe më pas kam dëgjuar: “Lëre, lërë atë se nuk na ka faj ky…”, fjalë që nuk kanë qenë të djalit tim. Kam dëgjuar edhe të tjera por nuk kam mundur t’i fiksoj. Kam dëgjuar disa krisma arme dhe menjëherë kam dalë në ballkon. Kam parë dy persona, njëri 175 cm dhe tjetri 180 cm. I kam parë nga mbrapa duke u larguar në drejtim të vendit që quhet “Ypsilon”. Njëri prej tyre ishte veshur me bluzë të kuqe dhe flokët i kishte të shkurtra.”, ka thënë ajo.
Vangjeli Lala është pyetur sërish më 25 tetor të vitit 2010, ku ka shpjeguar me hollësi rrethanat e ngjarjes, përshkrimin e njërit prej ekzekutorëve, të cilin e ka njohur edhe në procesin e paraqitjes për njohje, ku ka identifikuar si një prej autorëve të vrasjes, të pandehurin Orgest Bilbili.
“Nga fundi i muajit gusht, rreth orës 21:00, kam qenë duke kaluar me makinë bashkë me dhëndrin tim, Shkëlzen Jupe dhe ndodhesha në sediljen e pasme. Ka qenë errësirë. Xhami i makinës ka qenë i ulur. Sapo jemi afruar tek hyrja e rrugës së lagjes që njihet si “Ypsilon”, pranë një lokali ka parë në trotuar, nën ndriçimin e dritës së rrugës, dy persona që më kanë tërhequr vëmendjen. Njërin prej tyre e njoha. Ata sapo panë makinën e dhëndrit kanë kthyer shpinën nga rruga. Kur është afruar rreth 1.5 metra, personi tjetër që qëndronte në këmbë së bashku me personin që njihja unë, fillimisht nuk e njoha por kur jam afruar e kam identifikuar si personin që kam parë në vendin e ngjarjes bashkë me atë tjetrin. Dhëndri uli shpejtësinë pasi i thashë unë. Më vonë më pyeti pse i thashë ta ulte shpejtësinë dhe e pyeta nëse e njihte atë personin që pamë aty. Ai u kthye prapë te vendi ku i pamë. Në ditët në vijim dhëndri më tha se e ka identifikuar atë person dhe emri i tij ishte Orgest Bilbili. Në këtë moment unë i thashë se ai ishte një nga personat që vranë Gertin. Natën e ngjarjes kam dëgjuar edhe fjalët: “Laert shpejt dorezën...”, ka thënë ajo.