Një nga historitë me të bujshme të mediave skandalistike në Britaninë e Madhe ka qenë zbulimi se Rajan Gigs kishte një marrëdhënie disavjeçare me gruan e vëllait të tij, Rodri. Një histori që bëri që karriera e legjendës së Mançester Junajtid dhe Uellsit, të kalonte në plan të dytë për shumë kohë.
Familja Gigs u shpërbë praktikisht në vitin 2011 kur u zbulua se ai kishte një histori prej rreth 8 vitesh me Natashan, gruan e vëllait të tij. Natasha e pranoi gjithçka publikisht dhe u nda nga i shoqi, ndërsa edhe Rajan Gigs u nda nga gruaja e tij asokohe, Stejsi.
Rodri ka shmangur shpesh bisedat rreth asaj ngjarje të bujshme, por së fundmi nuk i ka rezistuar tundimit t’u përgjigjen në rrjetet sociale disa personave që po e ngacmonin, duke zbuluar se kishte përfituar financiarisht nga ai skandal.
“Ishte më shumë se 14 vite më parë dhe kam dy fëmijë me dikë tjetër tani, si dhe kam bërë një tufë me para nga ajo histori. Nuk më bezdis. Ishte 14 vite më parë dhe unë fitova rreth 1 milion paund prej saj”, ishin fjalët e Rodrit, pa specifikuar nëse këto para i kishte fituar nga intervistat në tabloide mediat apo nëse ishin “dëmshpërblim” nga i vëllai.