Sipas INSTAT, një kilogram nga grupi “ushqim, pije, duhan” kushtoi mesatarisht 120.8 lekë në vitin 2024, nga 129.8 lekë një vit më parë. Kjo rënie e ndjeshme e çmimeve të importit është ndikuar nga forcimi i Lekut ndaj Euros dhe ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, ndërkohë që importuesit dhe distributorët kanë përfituar, qytetarët shqiptarë nuk kanë parë asnjë ndryshim në çmimet e produkteve bazë.
Në vend që t’i përgjigjen uljes së kostove të importit, tregtarët justifikohen me rritjen e kostove të brendshme dhe pagave të punëtorëve. Ndërkohë, inflacioni për grupin “ushqim, pije, duhan” u rrit me 2.7%, duke e bërë të qartë se rënia e çmimeve të importit nuk ka arritur te konsumatori.
Sipas “Numbeo”, një nga databazat më të mëdha globale për koston e jetesës, Tirana renditet në vendin e 92-të nga 141 qytete europiane për koston e lartë të jetesës. Çmimet e ushqimeve janë ndër faktorët kryesorë që e bëjnë jetesën në kryeqytetin shqiptar më të shtrenjtë se në shumë vende të rajonit. Shqiptarët detyrohen të shpenzojnë mbi 43% të të ardhurave të tyre mujore për ushqime, shumë më tepër se mesatarja europiane.
Ndërkohë që çmimet e importit bien, marketet dhe tregtarët vijojnë të rrisin fitimet në kurriz të konsumatorëve. A do të ndërhyjë qeveria për të ndalur këtë abuzim, apo qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë të paguajnë çmime të fryra për produktet bazë? Për sa kohë tregu nuk rregullohet dhe spekulimi mbetet i pakontrolluar, konsumatorët do të jenë gjithmonë viktimat e një sistemi që favorizon makutërinë e tregtarëve!