Pas bëmave, skandaleve dhe aferave në sistemin e drejtësisë, ish gjyqtari Gjin Gjoni kërkon të bëhet deputet.
Kryetari i partisë Demokratike të Lezhës, Gjin Gjoni ka dhënë dorëheqjen nga posti, pasi do të jetë pjesë e procesit të primareve në Partinë Demokratike. Ai ka lënë karrigen bosh, pasi dorëheqja është detyrim statutor i PD për të gjithë drejtuesit e partisë që duan të kadidojnë në primare.
Por, kush është Gjin Gjoni, miliarderi që u bë kryetar partie nga Berisha?
Personazhi kontrovers i drejtësisë shqiptare, i cili nga veteriner u kthye në miliarder dhe “politikan”. Grupi i Sali Berishës e zgjedhoi kryetar të degës së PD në Lezhë. Duhet theksuar se në zgjedhjet e kaluara u tentua të futej emri i tij në listën e kandidatëve për deputetë, por ishte ambasada e SHBA që e bllokoi.
Ai është arsimuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, dega Veterinari, fakt të cilin e ka zhdukur në të gjitha jetëshkrimet e tij. Në vitin 1993, Gjin Gjoni bën një kurs disamujor në Durrës, i quajtur kursi i ‘Plepave’ dhe katapultohet në sistemin e drejtësisë shqiptare. Pa një diplomë juristi, Gjin Gjoni u ngjit me shpejtësi në nivelet më të larta të drejtësisë shqiptare.
Gjin Gjoni nga data 04.06.2013 deri në fund të vitit 2018, ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organit më të lartë të drejtësisë për emërimin, shkarkimin, vlerësimin dhe masat disiplinore të gjyqtarëve në Shqipëri. Pra, deri kur KLD u shkri për shkak të reformës në drejtësi, Gjin Gjoni, ishte pjesë e çetës që kontrollonte gjyqtarët, përmes emërimit dhe ndëshkimit të tyre në rast nevoje. Por kur erdhi puna të përballej me Vetingun, ai u tregua frikacak. Sapo u njoh me akte e KPK dha dorëheqjen, pasi pasuria e tij kapte shifra të frikshme.
Nga i pastrehë në vitin 2003, në 2014 pasuria e deklaruar e Gjin Gjonit shkoi mbi 1 milionë USD. Po gjatë vitit 2014, Gjin Gjoni u kallëzua penalisht nga ILDKPI për deklarim të rremë, falsifikim të dokumenteve, pastrim të produkteve të veprës penale etj. Sipas ILDKPI, Gjin Gjoni, deri në vitin 2014, kishte fshehur mbi 2 milionë euro pasuri. Përveç të tjerave, sipas ILDKPI, Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, Elona Çaushi, vetëm gjatë viteve 2010-2012, kanë blerë një vilë me vlerë 700 mijë euro, dyqan 150 mijë euro dhe apartament 53 200 000 lekë me para të paligjshme. Normalisht, Gjin Gjoni i shpëtoi lehtësisht drejtësisë, pjesë e së cilës ishte vetë. Ai u kujdes që hetimet ndaj tij të mbylleshin dhe me vendim gjykate.