Partitë politike kanë ndezur motorët për zgjedhjet e 11 majit, edhe pse është ende herët për nisjen zyrtare të fushatës. Socialistët, ashtu si edhe në 2017 dhe 2021 do të hyjnë të vetëm në zgjedhje, ndërsa demokratët e drejtuar nga Sali Berisha po tentojnë të krijojnë një koalicion parazgjedhor.
Në anën tjetër kemi disa parti të reja apo të vogla që po tentojnë të krijojnë aleancat e tyre, por pa qenë në gjendje që të krijojnë një koalicion të vetëm që mund të përbënte një pol të tretë politik dhe që në varësi të rezultatit të kushtëzonte krijimin e mazhorancave qeverisëse.
Po çfarë po ndodh me negociatat mes PD dhe atyre që i konsideron aleatë?
Deri më tani demokratët e Berishës kanë një aleancë me PL-në e Ilir Metës, PBDNJ e Vangjel Dules, PDK e Nard Ndokës dhe PR e Fatmir Mediut. Gjithashtu po tentohet një dakordësi me PAA e Agron Dukës dhe PDIU e Shpëtim Idrizit.
Me 3 nga aleatët, Ndokën, Mediun dhe Dulen, Berisha duket se e ka më të thjeshtë. Dule ka kërkuar një vend të sigurtë në listat për deputet. Ai ka shprehur interes për qarkun e Vlorës, ku mund të renditet mes 3 emrave të parë të listës së sigurtë. Gjithashtu Mediu kërkon një vend të sigurtë për veten në listën e deputetëve, ku zgjidhja mund të jetë në Tiranë, Fier ose Korçë. Ndërsa Nard Ndoka ka zgjedhur Shkodrën.
PAA e Agron Dukës gjithashtu shpreh interes për të paktën dy emra të sigurtë në listë, një prej të cilëve është Durrësi dhe emri tjetër të renditet në cilindo prej qarqeve të tjera me përjashtim të Kukësit dhe Gjirokastrës, që kanë numrin më të vogël të mandateve në përfaqësimin parlamentar.
Me PDIU-në e Idrizit negociatat duken më të vështira edhe për faktin se në mes është Vangjel Dule. Gjithsesi nga burimet opozitare mësohet se Berisha mund ti afrojë Idrizit 4 vende në atë që konsiderohet si lista e sigurtë, ndoshta dy në Tiranë dhe nga një në Fier e Elbasan.
Dhe partia e fundit, por që duket më e interesuara për koalicionin me Berishën, sikundër edhe ky i fundit ka një borxh për t´ia kthyer Ilir Metës, për shkak të 2023, është Partia e Lirisë. Me këtë të fundit nuk diskutohet koalicioni, por sa vende të sigurta do t´i jepen në dispozicion.
Meta ndodhet në qeli me urdhër të SPAK dhe do të tentojë të fitojë lirinë duke fituar mandatin e deputetit. PD i ka afruar një vend të sigurtë në listën e Tiranës, edhe pse Meta ka deklaruar se do të kandidojë por në atë që konsiderohet lista e hapur, pra marrja ose jo e mandatit të deputetit për të, do të varet nga vota preferenciale.
Përtej asaj se ku mund të renditet emri i Metës, negociatat që po zhvillohet mes Flamur Nokës dhe Tedi Blushit, të mandatuar nga dy partitë respektive PD dhe PL, janë më tepër si një Pazar, mbi numrin e deputetëve që do të jenë në siglën e PL në Kuvendin e dalë pas zgjedhjeve të 11 majit.
Mësohet se dy emra nga PL do të jenë në listën e sigurtë të Tiranës, ndërkohë që 1 do të jetë në Fier, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Lezhë, 1 në Berat dhe 1 në Shkodër ose Dibër. Pra nëse vijohet me këtë skemë, PL do të ketë në listat e sigurta të paktën 8 emra, që mund të përkthehen në 8 mandate. E gjitha kjo duket jo thjesht si një pazar Berisha-Meta, por si një qokë që PD po i bën PL-së, ose më saktë si një tentativë për të mbajtur me oksigjen politik një parti që për shkak të lojrave, instaloi në sistem pazarin politik.
Dhe nëse ndalemi në qarkun e Tiranës ku në listën e sigurtë renditen 12 emra, dhe nëse përmbyllen me sukses negociatat me PDIU dhe PL, automatikisht 4 vende PD ua jep aleatëve, çka do të thotë se do të ketë një reduktim të numrit të atyre që janë në krah të Berishës dhe shpresojnë të kenë vendin e sigurtë si deputet pas 11 majit.
Ndërsa në total për krijimin e koalicionit PD duket se është e gatshme të ofrojë rreth 15 mandate, pa përfshirë këtu ndonjë surprizë që mund të dalë gjatë rrugës.