Në mbledhjen e datës 19 shkurt 2025, Këshilli Kombëtar Territorit dhe Ujit miratoi 60 vendime për ndërtim kullash, resorte dhe godina publike. Mes vendimeve të miratuara përfshihet edhe ndërtimi i një kulle 27 kate në Tiranë nga kompanitë e ndërtimit 2T shpk dhe Be-is shpk, kompani të cilat gjatë dhjetë viteve të fundit kanë marrë rreth 410 milionë euro tendera publikë.
Administrator dhe bashkëpronar i kompanisë 2T është biznesmeni Artan Sako, vëllai i ish-drejtorit të Gardës së Republikës Gramoz Sakos. Kompania 2T, pas të cilës dyshohet se fshihet ish kreu i Gardës, Gramos Sako, hyri fuqishëm në tendera duke futur duart në buxhetin e shtetit pas ardhjes së PS-së në pushtet në 2013.
Gjatë 10 viteve të fundit, kompania 2T ka marrë rreth 230 milionë euro tendera publikë, e vetme dhe në bashkëpunim, me garë formale dhe pa garë, kryesisht me pazar në tavolinë, pra me paracaktim, dhe në shumë raste me oferta fituese gati sa fondi limit.
Përfituese edhe e dy koncensioneve, ka dyshime të forta se kompania 2T përfaqëson një nga linjat më të fuqishme dhe të konsoliduara të korrupsionit me tendera. Ndërkaq, në deklarimin e pasurisë në ILDKPKI, Gramos Sako, në një rast, ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka marrë një hua me vlerë 63 mijë euro tek vëllai i tij, Artan Sako, për t’i investuar në klinikën e saj dentare.
Pronar i kompanisë Be-is shpk është Hamz Islamaj, një personazh i lakuar për tendera të dyshimtë. Gjatë 10 viteve të fundit, Islamaj ka marrë 160 milionë euro tendera publikë. Hamz Islamaj nuk ka fituar miliona duke pritur rastësisht. Ai ka miq dhe ortakë në vendet e duhura. Një prej tyre është Ermal Nufi, që e gjen kudo ku ka para publike. Nufi nuk është vetëm një avokat i zakonshëm, ai është drejtor kabineti në Ministrinë e Infrastrukturës, Anëtar Bordi në Kadastër, “Albpetrol”, anëtar bordi në ARRSH dhe te kompania “Alabbar” në Durrës.
Vëllai i tij, Edmir Nufi, është ortak me Hamz Islamajn në kompaninë e transportit të kontenierëve “MARITIME LOGISTICS”. Pra, një dorë firmos tenderat, ndërsa tjetra mbledh fitimet!