Erion Veliaj ka nisur fushatën për Partinë Socialiste edhe pse kjo nuk është koha më e mirë për të dhe rrethin e tij të afërt.
Kryebashkiaku i Tiranës po hetohet nga SPAK për disa vepra penale, ndërkohë që ndaj familjarëve dhe njerëzve pranë tij, janë ushtruar disa kontrolle me kërkesë të SPAK.
Veliaj është njëri prej drejtuesve politikë të PS për qarkun e Tiranës, pasi Edi Rama vendosi ta “markojë” me Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun.
Veliaj thotë se asgjë nuk mund ta ndalojë të bëjë fushatë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Kjo deklaratë vjen në të njëjtën ditë që BKH ka ushtruar kontroll tjetër në një ambient pranë qendrës Harabel të bashkëshortes së Veliajt.
“Nuk ka gjë në botë të më ndalojë të jem aktivisti më shembullor për fitoren e PS në 11 maj. Do të punoj me gjithë energjinë dhe forcën time, me të gjitha orët e ditës sime dhe pasionin tim, sepse Tirana ka nevojë për Edi Ramën dhe PS. Tirana ka nevojë të shkojë edhe më lart, edhe më fort, edhe më shpejt”, tha ai.
Asnjëherë nuk dorëzohemi! Kurrë, kurrë kurrë! Forcat e liga mund të bëhen bashkë, njerëzit që s’kanë prekur punë me dorë mund të llomotisin sa të duan, parti të reja me ide të vjetra mund të ketë sa të duash, në fletën e votimit lista është pa fund, por ka vetëm një forcë që kurrë, kurrë, kurrë nuk e ka tradhëtuar Shqipërinë, kurrë nuk e ka tradhtuar rininë, kurrë nuk i ka lënë pas dore pensionistët, kurrë nuk e ka zhgënjyer besimin e njerëzve, si në opozitë, ashtu edhe në qeveri: Kjo është familja jonë, është Partia Socialiste e Shqipërisë, është Edi Rama, skuadra jonë kombëtare”, tha Veliaj.