Në raportin e performancës së qeverisë në zbatimin e buxhetit për vitin 2023 mbi të cilin raportoi kreu i KLSH, Arben Shehu, është konstatuar nga KLSH një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore
Kuvendi miratoi sot ngritjen e komisionit për mbikqyrjen e KLSH me 90 vota pro, 1 abstenim dhe 4 kundër.Komisioni do të drejtohet nga Emilia Koliqi, ndërsa Eslenvera Zake do të jetë nënkryetare.
Anëtarë të komisionit do të jenë Alban Xhelili, Sorina Koti dhe Pranvera Resulaj. Ndërsa Edmond Spaho dha dorëheqjen nga komisioni.
Ideatori i këtij komisioni është kreu i Komisionit të Financave, Eduard Shalsi, i cili kërkon të fusë hundët dhe tek institucioni i vetëm që po denoncon aferat e qeverisë.Sipas draftit, në varësi të Komisionit të Ekonomisë, do të krijohet nënkomisioni “Për Auditimin e Sektorit Publik”.
Ndonëse thuhet se ndër qëllimet e ngritjes së këtij komisioni është që institucionet të rrisin zbatimin e rekomandimeve të KLSH, në fakt Shalsi me shokë dalin zbuluar në fund, pasi vetë Kuvendi do të fusë duart te zgjedhja e audituesve të jashtëm të KLSH.
Ditën e sotme Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar që brenda këtij sesioni të raportojë në Kuvend, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ashtu siç kanë raportuar edhe institucionet e tjera.
Bardhi tha se sot të mblidhet Komisioni i Ekonomisë dhe ditën e nesërme të ftohet kryetari i KLSH për të bërë raportimin vjetor.
“Unë e kuptoj që veprimtaria e KLSH mund të ketë shqetësuar shumë kolegë në këtë sallë për shkak të shkeljeve të dyshuara korruptive. Ka qenë KLSH që ka denoncuar aferën e inceneratorëve, skandalin tek onkologjiku.Kontrolli i Lartë i Shtetit do të duhet të ftohet të raportohet ditën e nesërme në seancën plenare”, tha Bardhi.
Si po tenton PS të uzurpojë KLSH:
Kompetencat e parashikuara të nënkomisionit do të fokusohen tek raportet e qeverisë dhe KLSH-së për zbatimin e buxhetit të shtetit, shqyrtimi i raporteve të auditimit të KLSH-së, ndjekja e zbatimit të rekomandimeve dhe raportimi i gjetjeve, por dhe kontrolli i përdorimit të financave publike nga vetë ky institucion.
Në këtë kontekst, llogaritë e KLSH do të auditohen nga kjo strukturë parlamentare nëpërmjet audituesve të jashtëm të kontraktuar prej saj.
Nënkomisioni do të drejtohet në mënyrë bipartizane me bashkëkryetarë të shumicës dhe opozitës ndërsa në përbërje ka 5 anëtarë, ku shumicën e ka PS-ja.
Edhe pse deputetët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë e kanë mbështetur propozimin, ata shfaqën mosbesim në qëllimet e mazhorancës dhe ngritën pikëpyetje për tentativa që të kontrollojnë këtë institucion të pavarur.
Në raportin e performancës së qeverisë në zbatimin e buxhetit për vitin 2023 mbi të cilin raportoi kreu i KLSH, Arben Shehu, është konstatuar nga KLSH një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2023.
Shehu, që drejton këtë institucion që prej korrikut 2020, e cilësoi nënkomisionin e ri si një instrument që do të shërbejë në përshpejtimin e zbatimit të rekomandimeve që KLSH cakton institucioneve publike të audituara”./Pamfleti