Një 51-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Muriqan, pasi tentoi të kalonte drejt vendit tonë 680 mijë euro të padeklaruar.
Mësohet se të ardhurat e të arrestuarit Lefter Nela, buronin nga krimi. Raportohet se Nelaj u kap në hyrje të Shqipërisë, teksa po përpiqej të fuste në mënyrë ilegale paratë, të fshehura në dy hapësira të modifikuara të dyerve të pasme të automjetit që ai drejtonte.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan 680,595 euro, automjeti tip “Benz” dhe dy celularë.
Sakaq, hetimet vijojnë për të zbardhur burimin e parave dhe për të marrë masa të mëtejshme ndaj të arrestuarit.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Burimi”.
Gjatë operacionit, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua shtetasi L. N., 51 vjeç, banues në Fushë Milot.
Nga kontrollet në vijë të dytë, në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën në 2 hapësira të modifikuara në dyert e pasme, 680 595 euro, të cilat ky shtetas synonte t’i fuste ilegalisht në Shqipëri. Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave, informon policia e Shkodrës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.