Nga Basir Çollaku
Taulant Balla apo Erion Veliaj? Kush do të ftohet për një qëndrim më të gjatë se zakonisht nga kolegët?! Zgjedhjet parlamentare 2025, mund të shoqërohen edhe nga ato bashkiake në Tiranë?! Harta politike është bërë çorap. Kujdes kur të hidhni fall, se nuk dihet kush ministër, kryebashkiak, deputet apo funksionar drejtësie e policie, ngryset i lirë e kush gdhihet të kafja e BKH-së. Vlimi i shumë dosjeve dhe prangosjet në politikë, janë kthyer në një regji pushteti e ambasadash bashkë, të cilat koordinojnë barometrin sa andej dhe këtej, duke u përpjekur të arnojnë rrobën e grisur keq të drejtësisë. Pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, ish-presidentit Ilir Meta, masës detyrim paraqitjeje për deputeten Monika Kryemadhi u zbuluan shumë vatra të dyshimta. Në padinë ndaj Metës përmendej për veprime kryeministri Edi Rama, e më pas kujtesa e prokurorëve humbiste në pamundësi qartësie. Përmendej periudha e veprimeve të Ministrisë së Ekonomisë drejtuar nga deputeti tjetër socialist, apo përfitimet e një kompanie ku shfaqej deputeti tjetër socialist Agron Çela. Lihej në periferi dhe raporti me dosjen i kryebashkiakut të Himarës, Vangjel Tavo, paqesjellësi më Greqinë pas trazirës “Beleri”, ku përmendja në kontrata lobingjesh nuk mungon. Bashkiaku ka në hetim edhe bashkëshorten për detyrën te AZHBR, e thirrur nga Struktura e Posaçme për sqarim rrethanash hetimore. Arrestimi i deputetit të mazhorancës së qarkut të Durrësit, Jurgis Çyrbja, duke shmangur dërgimin e një materiali voluminoz përgjimesh në Kuvend, ka lënë litarin jashtë nga dosja e Sky-Enchro chat, ndaj kërkohet ushqim shtesë. Ilir Beqja, Lefter Koka, Alqi Bllako në qeli, Tahiri i dënuar, e bëjnë grupin parlamentar të PS, me seli të re, “302” dhe “313”, ku kryetarit do i bjerë rradha t’i vizitojë edhe si i ngjashëm.
Skedinë apo peri po këputet?!… Ndihma e Aleksit e ka sjellë varkën pa ujë deri më tani. Taulant Balla është një ndër deputetët e përmendur në disa dosje?!. Largimi nga ministër i Brendshëm, pas një viti në detyrë, kishte ngarkesa jo të pakta. Erion Veliaj është shënjestra e këputjes së besimit për Strukturën, nëse ai sillet si shef i prokurorëve, ndërkohë që gjendet në hetim pasuror familjarisht. Inceneratorët, 5D, Eco Tirana, Ndranghetta, Teatri Kombëtar, mbjellja e “miliona pemëve” janë një pafundësi dosjesh, ku bashkiaku ka llogari penale për të dhënë. Balluku duhet të mos dremisë, pasi agregatët e Vlorës me 100 mijë euro në ditë, e duan një përgjigje në Prokurori, se kush firmosi e kush përfitoi, duke futur duart në paratë publike keqas. Ministra e funskionarë të lartë të Partisë Socialiste janë në Sky-Ecc, shumë më të pranishëm se në seancat plenare. Kuvendet e tyre në platformat e kriptuara janë më banda e trafikantë për halle elektorale, pasurore, investimesh, emërimesh në drejtësi e polici. Të gjitha bandat po mendojnë për ca kohë divorcin, sepse u ka rënë në kokë halli individual. Politikanët do të shesin bandat, e anasjelltas. Varet, kush ka mbajtur më shumë prova pro e kundër punëve të përbashkëta. Durrësi, Shkodra, Elbasani, nuk mbahen më me asnjë lloj miku në Prokurroi. Skedinat, shpesh digjen, sepse shiten ndeshjet…!