“Nuk do të ndërtohet më në Tiranë pa u shitur apartamentet që janë bosh”, ishte premtimi i Erion Veliaj në vitin 2015, kohë kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës. Që nga ajo periudhë e deri më sot ndryshimet në kryeqytet janë drastike, jo vetëm me objekte banimi, por edhe me kulla të larta shumëkatëshe.
40 mijë apartamente banimi janë bosh në Tiranë. Ato nuk shiten dhe as nuk jepen me qira. Pavarësisht se apartamente ka dhe po ndërtohen çdo ditë ende ka banorë pa një çati mbi kokë, kjo për shkak të kostos së lartë e cila është e papërballueshme për qytetarët. Rritja e çmimeve të referencës është një ndër arsyet që çoi në këtë situatë.
Qeveria ndryshoi çmimet referenciale për 32 zonat kadastrale të Tiranës në 2023. Vlera referuese e taksueshme për metër katror u rrit nga 5 e deri në 76%. Më këto ndryshime çmimet në 13 njësitë administrative u rritën nga 29 deri në 73%. Ndikim pati edhe rritja e çmimit të lëndëve të para në ndërtim, megjithatë është e pajustifikueshme që oferta në treg është më e lartë se kërkesa, ndërsa çmimet mbeten të larta.
Lejet e ndërtimit nuk kanë fund
Që nga 2015 lejet e ndërtimit kanë njohur rritje vit pas viti duke kulmuar në vitin 2022 ku ndërtimi i kaloi 1.8 milionë metra katrorë për ndërtim. Rekordi u shënua në tremujorin e dytë kur u dha leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 800 metrash katrorë. Ndërtimet vijuan edhe më tej në vitet 2023 dhe 2024.
Ndërtimet në Tiranë në tremujorin e katër të 2023 dhe gjatë gjithë vitit 2024 e shprehur në metër katrorë
“Lulëzojnë” kullat shumëkatëshe
Në kryeqytet nisi një tjëtër fazë, ajo e ndërtimit të kullave shumëkatëshe lejet për të cilat u dhanë nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Duket se projektet janë hartuar me shpejtësi dhe në çdo mbledhje të KKT-së janë aprovuar lejet e ndërtimit. Me sy të lirë e shohim që sot Tirana ngjan me një “pyll betoni”.
Këshilli Kombëtar i Territorit, ka miratuar disa leje ndërtimi për kulla shumëkatëshe në çdo skaj, disa kanë nisur të ndërtohen ndërsa të tjerat ende jo. Vetëm në qëndër të Tiranës do të ndërtohen disa kulla. Po ashtu, në rrugën “Dritan Hoxha” do të ndërtohen kullat më të larta me 44 kate dhe 55 kate. Një tjetër vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit pritet për të vijuar ndërtimi i “Tulipanit të Tiranës”, një tjetër kullë 40 kate të lartë, me sipërfaqe ndërtimi rreth 35 mijë metra katrorë në afërsi të ish stadiumit “Dinamo”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë. Këto janë vetëm disa nga ndërtesat që pritet t’i shtohen kryeqytetit, lista është e gjatë. Ka një plan të miratuar, i cili përfundon në vitin 2030, por duket se ky plan nuk i ka shërbyer Tiranës.
Ish-prokurori: Nga arat me kanabis në sheshet e ndërtimit
Dyshime për pastrimin e parave në këtë sektor janë hedhur edhe nga ish-prokurori Eugen Beci.
“Informaliteti dhe korrupsioni janë bërë një dhe e kanë bërë më të lehtë këtë aktivitet kriminal. Fakti që prej vitesh shtohen ndërtimet dhe shtohen biznesmenët e kësaj fushe, duke e ndërthurur me të shkuarën e tyre e kupton lehtë, që nga arat me kanabis kanë mbërritur në sheshet e ndërtimit. Po ata njerëz, kontigjent për trafik narkotikësh thjesht kanë marrë emrin e ndërtuesit”.
Në këtë situatë alarmante a duhet të ishin kryer hetime apo është e vështirë të hetohet aktiviteti kriminal? Ish prokurori thotë se çështja është komplekse.
“Në të vërtetë hetimi pasuror që është mekanizmi kryesor i luftës kundër pastrimit të produkteve kriminale, nuk është se ka patur të njëjtin ritëm me hetimet penale klasike. Kjo për shumë arsye. Mbi të gjitha për faktin se korrupsioni i lartë dhe inkriminimi i shumë mekanizmave e subjekteve të administratës e pengon efikasitetin në këto hetime. Por duhet thënë se dy vitet e fundit sekuestrimet nga SPAK janë rritur shumë dhe kjo është një shenjë positive”.
Për të kuptuar një shifër, se sa para mund të jenë pastruar në këtë sektor, Beci bën një llogaritje të thjeshtë.
“Të dhënat për sektorin e ndërtimit tregojnë se ai bashkë me aktivitetin e pasurive të patundshme zënë 15% të ekonomisë, ose 3.7 miliard euro. Psh në vitin 2023 për ndërtimin si sektor dhe për blerjet e banesave bankat kanë dhënë 847 milionë euro, 2.8 miliardë euro nuk dihet kanë dalë, kur dhe depozitat bankare janë në rritje. Pra thjeshtë fare ky 2.8 miliardësh logjikisht është prej trafiqeve e prej korrupsionit si dy veprimtari që nuk rrinë dot në këmbë pa njëra-tjetrën.”
Ndërkombëtarët: Në ndërtim pastrohen para
Raporti “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, një publikim i “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime) dhe i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze nxjerr në pah të dhëna tronditëse. Sipas këtij raporti rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017-2019 në kryeqytet nuk justifikojnë burimet e tyre financiare. Vlerësohet se për këtë periudhë 3-vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro. Nga 141 kompani që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të larta sesa 6 kate, 59% e tyre nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato.
Edhe në raportin e fundit të DASH specifikohet se paratë e drogës pastrohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. “Rrjetet kriminale shqiptare kanë qasje të drejtpërdrejtë tek prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut dhe rrjetet e trafikimit që e sjellin kokainën në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe kontribuojnë në korrupsion”, thuhet ndër të tjera në raport.