Sipas raportit të fundit të INSTAT, në vitin 2024 shqiptarët kanë shpenzuar rreth 40% të të ardhurave për bukë, perime, produkte mishi e bulmet. Në kohën kur pjesa më e madhe e të ardhurave shpenzohen për ushqime, atëherë siguria ushqimore duhet të jetë çështja primare e institucioneve kompetente, supermarketeve dhe kompanive që prodhojnë dhe tregtojnë produkte konsumi për qytetarët shqiptarë.
Në kohët e fundit duket sikur është bërë normale që disa subjekte tregëtojnë produkte me myk, të skaduara, jo të sigurta, apo edhe duke i mashtruar, si yndyrën bimore e tregëtojnë për gjalp etj, pra me pak fjalë një krim ushqimor.
Në redaksinë e Zahiri News kanë mbërritur denoncime të shumta që tregojnë se si cënohet hapur siguria ushqimore, ndërsa institucioni përkatës, AKU, herë është në “gjumë letargjik” e herë bën “një sy qorr e një vesh shurdh”, duke favorizuar oligarkët, si Samir Mane, Sokol Meqemeja, Piro Karanxha me shokë, që i kanë në pronësi këto subjekte, të cilët shpesh herë rezultojnë të kenë lidhje të ngushta me qeveritarët dhe “Rilindjen”, disa prej tyre deputet, si Vullnet Sinaj apo Agron Duka. Mjafton të kërkosh për emrat e tyre dhe dalin përfitues të mijëra eurove nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), si rasti i Lufrës, që ka përfituar 786 mijë euro, por që kuptohet këtu edhe me ndihmën e ish ministres Frida Krifca, që është fshehur prej kohësh prapa bablokut, si këshilltare, por për të cilën në vijim do të publikojmë fakte të rënda, se si ish ministrja ka penguar ushtrimin e detyrës së punonjësve të vet për të ndëshkuar subjektet që kanë shkelur ligjin, apo edhe më keq duke u bërë palë me këto subjekte.
Prej vitesh shkeljet e prodhuesve kryesor të bulmetit, mishit, vezëve, si dhe të supermarketeve, nga institucioni që duhet të garantojë sigurinë ushqimore janë fshehur dhe konsumatori nuk është informuar, mjafton të kërkosh në faqen zyrtare të AKU për këto subjekte dhe nuk gjen asgjë. Po përse?!!! Natyrisht në këmbim të parave dhe favoreve të ndryshme.
Vërtetë nuk është përgjegjësi e drejtorave të përgjithshëm apo atyre rajonal të AKU që subjektet më të mëdhaja në vend nuk respektojnë detyrimet e ligjit të ushqimit, për prodhimin apo tregtimin e produkteve ushqimore.
Të gjithë drejtorët e AKU-s ndër vite janë të përfshirë në këtë krim ushqimor dhe neglizhencë me ose pa dashje për mos marrjen e masave për gjobitjen e këtyre subjekteve dhe bllokimin e aktivitetit, por edhe ti kallëzojnë penalisht, për krim ushqimor sipas neneve 288 dhe 288/C të Kodit Penal.
Sipas informacioneve që disponohen nga Zahiri News, disa prej subjekteve të mësipërme kanë kryer krim ushqimor, pasi kanë vendosur në treg ushqime të pasigurta, madje duke e ditur këtë fakt, por për asnjë prej tyre nuk është kryer kallëzim penal.
Sipas informacioneve që disponon Zahiri në disa raste ndaj këtyre subjekteve janë vendosur gjoba të majme, por më pas janë falur nga komisioni gjobvënës në AKU me në krye Drejtorët e Përgjithshëm të këtij institucioni ndër vite. Për këto do flasim në një moment tjetër se si gjoba të vendosura nga inspektorët janë shfuqizuar në shkelje të hapur me ligjin, apo gjoba të cilat gjykata i ka lënë në fuqi dhe komisioni i ka falur, kuptohet në këmbim të rryshfetit.
Zahiri News ka vendosur që të bëjë publike shkeljet e ligjit për produktet ushqimore dhe do vijoj të denoncoj me fakte dhe prova për këtë krim kaq sensitivë për të gjitha familjet shqipëtare.
Nga një investigim i kryer, përgjatë viteve të fundit, shkeljet e tregtuesve dhe prodhuesve nuk kanë të mbaruar, por edhe denoncimet nga konsumatori kanë ardhur duke u shtuar. Konkretisht në dy supermarketet kryesore të cilat kanë rrjetin e tyre në gjithë territorin, shiten produkte ushqimore që u ka kaluar afati i përdorimit, produkte me myk, veza dhe mishi nuk kanë certifikatë të analizave laboratorike, në magazinat e ushqimeve, nga shtete të ndryshme si Italia, kanë ardhur informacione se produkte të caktuara duhet të hiqen nga tregu, pasi në këtë shtet kanë sjellë vdekjen e konsumatorëve. Mirëpo edhe pas njoftimeve, përsëri në këto supermarkete ka vazhduar tregëtimi i këtyre produkteve.
Edhe tek Prodhuesit kryesor të produkteve të bulmetit, mishit, vezëve, që ndodhen në zonën e Gjirokastrës, Lushnjes, Tiranës, Durrësit prodhohen produkte, me përbërës kimik dhe nga analizat laboratorike kanë dalë me përmbajtje të “Aflatoksinës”, “Nitriteve”, “Escherichia coli/E.Coli”, apo vezë me përmbajtje të antibiotikëve, antibakterialëve, si “Florfenicol” që nuk lejohen, duke u shndërruar kështu në një rrezik potencial për shëndetin e çdo konsumatori. Referuar studimeve të ndryshme, ekspozimi i konsumatorit ndaj Aflatoksinës, sjellë rritje të rrezikut për kancerin e mëlçisë, apo ndaj bakterit E. Coli, shkakton diarre, infeksione urinare etj.
Sipas të dhënave që kemi, këto subjekte, në kundërshtim me ligjin kanë prodhuar, tregtuar disa herë produkte ushqimore të pasigurta, mashtruar me etiketën etj.
Zahiri News në vijim do të publikojë emrat e subjekteve të mësipërme, duke i ardhur në ndihmë konsumatorit që të bëjë zgjedhje të duhura, si dhe do ti drejtohet organeve ligjzbatuese për këto subjekte, me qëllim marrjen e masave ligjore ndaj tyre.