Tensionet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, kanë arritur një pikë kritike. Veliaj, në burgun e Durrësit, ka firmosur një urdhër më 18 mars 2025, duke emëruar si kryetare të re të Bashkisë së Tiranës bashkëpunëtoren e tij të ngushtë, Sara Goxhaj. Ky vendim ka sfiduar vendimin e Ramës, i cili më herët kishte komanduar Anuela Ristanin në këtë post.

Rama ndërhyn menjëherë, anulon vendimin dhe shkarkon zyrtarët
Vetëm pak orë pas njoftimit të emërimit të Goxhajt, kryeministri Rama ka ndërhyrë gjatë natës. Ai ka vizituar Bashkinë e Tiranës dhe ka urdhëruar anulimin e menjëhershëm të vendimit të Veliajt. Si masë ndëshkimore, Rama ka shkarkuar jo vetëm Sara Goxhajn, por edhe sekretarin e përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushin. Në vend të tyre, detyrën e ka marrë zyrtarisht Anuela Ristani.
Kjo përplasje shënon një çarje të hapur mes Ramës dhe Veliajt, duke kaluar nga tensionet e nënkuptuara në veprime të drejtpërdrejta.
Kush është Sara Goxhaj?

Sara Goxhaj ka mbajtur postin e drejtoreshës së kabinetit të Veliajt dhe njihet për lidhjet e saj të ngushta me të. Emri i saj është përmendur edhe në lidhje me një apartament të blerë pranë TEG-ut prej Shkëlqim Fushës, me një sipërfaqe prej 103.6 m² për 90,000 euro.
Kjo ka ngritur dyshime mbi një marrëveshje të mundshme fiktive mes saj dhe biznesmenit Shkëlqim Fusha, i cili ka përfituar kontrata të shumta nga Bashkia e Tiranës, shpesh pa tenderë dhe pa garë, duke marrë mbi 70 miliardë lekë nga fondet publike.
Çmimi për metër katror në këtë zonë llogaritet të jetë rreth 1150 euro sipas tregut imobiliar, ndërsa vlera që ka paguar Goxhaj del ndjeshëm më e ulët (rreth 800 euro), duke shtuar dyshimet për burimin kontratën fiktive.
Thellohet përplasja Rama-Veliaj
Situata ka krijuar një klimë tensioni në Bashkinë e Tiranës, me një luftë të hapur mes kryeministrit dhe ish-kryebashkiakut. Me Veliajn ende në burg, por duke vazhduar të ushtrojë ndikim, dhe me Ramën duke e sfiduar hapur, pritet që përplasja e pritur prej kaq kohësh, të “shpërthejë” me zhvillime të reja në ditët në vijim.