Edi Rama, mjeshtër i propagandës dhe spektaklit politik, po rikthen repertorin e tij të vjetër: kur gjërat nxehen, shpik një skandal të ri për të mbuluar të vërtetat e hidhura. Dikur, kur vendi ishte kthyer në një plantacion gjigant kanabisi, ai i quante disa gazetarë të kronikës “fronti i së keqes” dhe i akuzonte se po njollosnin imazhin e Shqipërisë. Pastaj, kur inceneratorët po digjnin miliona nga buxheti, gazetarët dhe opinionistët u etiketuan si “kazan” dhe “llumi i mejhaneve.” Tani që SPAK po i afrohet gjithnjë e më shumë, disa nga gazetarët e kronikës po promovohen nga Rama në nivelin e “armiqve të brendshëm.”
Dhe, çuditërisht, pas çdo sulmi ndaj medias, skema është e njëjta: hidh tym për të larguar vëmendjen nga korrupsioni qeveritar. Këtë herë, loja u spostua në Universitetin Bujqësor, me një operacion arrestimesh që rastësisht ndodh pikërisht kur Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, është i arrestuar me një dosje për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe pritet ti shtohen akuza të tjera!
Ore, po Veliaj ka bërë kërdinë në Bashki, dhe Rama, në vend që të flasë për të, na shfaqet si aktor dramatik, duke mbajtur leksione për drejtësinë nga podiumi i partisë! Dhe për çfarë gjithë ky show? Për 300 milionë lekë të vjetra?! Normale që çuditet edhe vetë! Ata që ka në krah dyshohen për miliona dhe miliarda, por janë aty, të qetë në tryezën e ish-Komitetit të Partisë! Po ata të tjerët në administratë që kanë abuzuar me fonde sa për të blerë gjysmën e Shqipërisë, pse nuk po preken?
Këtë pyetje e bëjnë të gjithë, por më shumë se kushdo duhet ta bëjë SPAK-u, i cili ka zgjedhur që në mes të gjithë korrupsionit miliardësh, të arrestojë 24 persona për një shumë që krahasuar me skandalet e vërteta është thjesht “kusuri i qokave.”
Dhe në gjithë këtë zhurmë, dalin edhe ca pyetje të tjera: Pse Rama nuk mbajti të njëjtin qëndrim për ish-Zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, ish-ministrat Beqajn, Kokën, Tahirin dhe gjithë kryebashkiakët që janë akuzuar, arrestuar apo shpallur në kërkim? Pse për Veliajn! Pse u desh ky spektakël për 24 të arrestuar, kur ata që kanë vjedhur miliona vazhdojnë të drejtojnë institucione dhe tendera?
E pastaj skeptikët na thonë se universitetet nuk janë të politizuara! Po si jo?! Ja, rektori që jep llogari jo para Senatit Akademik, por para grupit parlamentar të PS-së! Dhe na flasin për reformë në drejtësi! Po sipas ligjit, masat e sigurisë jepen nga gjykata me kërkesë të prokurorisë, jo me regji nga Kryeministria! Por kur nuk ke argumente, bën moral për “drejtësinë e re” dhe hedh në kosh logjikën dhe ligjin.
Dhe si për ta mbyllur skenarin me stil, Rama para arrestimit të Veliajt, e shmangu në disa dalje publike. Nuk e kishte në foto, nuk përmendet në fushatë sa e zëvendësoi edhe si drejtues fushate në Tiranë. Rastësi? Apo parapërgatitje për fazën e cila rodhi me arrestimin e tij dhe Rama tani shfaqet duke e mbrojtur si aktor profesionistë!
Epo, fushata ka nisur dhe shashkat janë hedhur. Patronazhistët duhet të mobilizohen, populli duhet të hutuar me ndonjë arrestim sa për sy e faqe, dhe mbi të gjitha, vëmendja duhet të largohet nga skandalet e mëdha. Sepse një gjë dihet me siguri: Rama mund të ndryshojë fabulën, por shfaqja mbetet po ajo! Fajin e ka Saliu! /Flamur Vezaj