Është arrestuar sot (6 shtator) në zonën e Niklës, Marklen Haka, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Marklen Haka, pjesë e ‘Bandës së Niklës’ akuzohet edhe për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit.
Sipas informacioneve, Haka kishte tre muaj që kishte ardhur nga Dubai ku jetonte prej kohësh. Dyshohet se ai ka hyrë në vend ilegalisht nga Kosova. Haka është i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda.
Ndërkohë bëhet me dije se bashkë me 33-vjeçarin, i cili u kap me armë zjarri me vete, janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë.
Ky është momenti, kur Marklen Haka është shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë në Tiranë. I forti i Niklës, u vu në pranga sot në zonën e Niklës, ndërsa ishte i shpallur në kërkim. Gjatë momentit të shoqërimit në komisariat Marklen Haka shihet këmbëzbathur dhe me rroba sportive.
* Reagon ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha
Lidhur me arrestimin e Marklen Hakes ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.
Hoxha shprehet se Haka është një emër i njohur për drejtësinë, në kërkim për vepra të rënda penale. Sipas Hoxhës, policia sot ka kryer një punë tepër profesionale.
“Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë pak minuta më parë i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.
Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.
Përpjekja për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie”, njofton ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.
* Kush është Marklen Haka?
Marklen Haka, është emër i njohur për drejtësinë me disa precedent penal.
Marklen Haka, në shtator të vitit 2019 i ka shpëtuar një atentati në derë të shtëpisë së tij, ku mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha. Objektiv i atentatit ishte vetë Marklen Haka i cili shpëtoi vetëm me një plumb në krah, ndërsa halla e tij dyshohet se ishte qëlluar aksidentalisht.
Atentatorët kishin mundur të hynin në thellësi të fshatit Zezë të Fushë-Krujës, aty ku jetonin anëtarët e familjes Haka në fshehtësi të plotë dhe të padiktuar nga askush. Ata qëlluan me breshëri plumbash ndrej banesës së Hakës, ndërsa halla e tij ka qenë duke hapur derën, kur plumbat vërshuan drejt saj duke e lënë të vdekur në vend. Pikërisht për këtë atentat akuzohet Durim Bami, si personi që ka siguruar kushtet për kryerjen e atentatit.
Në janar të vitit 2020, Marklen Haka, u arrestua nga forcat RENEA gjatë një operacioni te shtrirë në disa qytete të vendit. Asokohe Marklen Haka ra në pranga si i dyshuar për 3 vepra penale: “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”, por liria e tij do të kufizohej vetëm pak ditë. Prokuroria nuk mundi t`i faktonte këto akuza dhe ai u la i lirë nga gjykata. Ai rezulton i dyshuar edhe për disa ngjarje të rënda kriminale, por nuk është përballur me drejtësinë.
Marklen Haka, ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por ishte liruar për mungesë provash.
Më 8 qershor 2022, ai i shpëtoi një tjetër atentati, në hyrje të fshatit Nikël në Fushë-Krujë por shpëtoi, duke marrë një plumb në nofull.
Kujtojmë se, më 12 qershor 2024, në Dubai u arrestua Durim Bami, i cili është në akuzë në dosjen “Revanshi” për 4 vepra penale, nga sigurimi i kushteve për vrasje deri tek grup i strukturuar kriminal, kultivim droge dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal. Durim Bami, bashkë me Endrit Doklen, Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, do vrisnin Arben Ndokën.