Edi Rama është bërë shërbëtor i Samir Manës, duke i ofruar atij mundësinë që të rrisë pasurinë e tij në kurriz të shqiptarëve. Rama ka luajtur një lojë të zgjuar për të mbajtur pushtetin dhe për të siguruar që Manës dhe grupit të tij të oligarkëve t’u vijë gjithmonë përfitimi. Me ndihmën e Ramës, Samir Mane ka mundësinë të përfitojë nga koncesionet, ndërtimet në zona turistike dhe investimet që financohen nga Bashkimi Europian. Këto janë skema që, në thelb, janë krijuar për të privilegjuar ata që janë të lidhur ngushtë me pushtetin dhe për të shpërdoruar pasurinë publike.
Rama, duke qenë në shërbim të Manës, mundëson që ky i fundit të ketë gjithmonë mbështetje të fortë në nivel politik, duke i hapur mundësi për të pasuruar veten dhe grupin e tij. Edhe pse Berisha e akuzon Ramën për shërbim ndaj oligarkëve, ai nuk përmend asnjëherë emra të saktë, të tilla si Samir Mane, i cili ka qenë në qendër të këtyre përfitimeve. Në këtë mënyrë, Rama dhe Mane janë bërë një binom i pandashëm, duke i mbajtur gjithçka nën kontroll dhe duke i garantuar njëri-tjetrit pasuri të pafundme, ndërkohë që shqiptarët e thjeshtë vazhdojnë të vuajnë.
Me një vendim të thjeshtë që mban datën 1 gusht të 2012, qeveria Berisha i dha me koncesion Samir Manes plazhin e Dhërmiut dhe Plazhin e Perivollit, duke diktuar paraprakisht kompaninë e tij si fituese. Si subjekt kontraktues për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonat plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, Këshilli i Ministrave përzgjodhi kompaninë “Eurokontakt”, sh.p.k, pas të cilës fshiheshin klientët kryesor të Berishës. Kompania e “Eurokontakt”, sh.p.k. ishte pjesë e bashkimit të kompanive “Neptun” sh.p.k dhe “AE Distribution” sh.p.k., pas të cilave fshihej Samir Mane. “Vendim nr. 591, datë 1.8.2012 për përcaktimin e autoritetit kontraktues për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonat plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, me karakter turistik, panoramik dhe informues, ndërtimin e infrastrukturës përkatëse dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë “Eurokontakt”, sh.p.k”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Vendimi për blerjen e autobusëve
Kompania e “Eurokontakt”, sh.p.k. “Neptun” sh.p.k dhe “AE Distribution” sh.p.k., u bashkuan në një kompani. Pas tyre qëndron Samir Mane. Ky bashkim kompanish fitoi në kohën e Berishës edhe një tender nga Drejtoria e Përgjithshme e RTSH, për “Blerje pajisjesh për autobusët TV”, zhvilluar më datë 23.05.2008. Madje Avokati i Prokurimeve nisi edhe një hetim administrativ ndaj këtyre kompanive për pazaret me RTSH. Gjithçka është bërë në mënyrë të dyshimtë dhe abuzive.
Kompani për mbledhjen e borxheve
Nuk ka sektor dhe vend që prodhon para ku mos të shfaqej Mane. Ai u fut edhe tek mbledhja e borxheve. Mane krijoi në atë kohë një kompani për të mbledhur borxhet e qeverisë, duke marrë një pjesë të tyre.
Vendimi për pullat fiskale
Sërish shfaqet Samir Mane. Koncesioni i pullave fiskale të produkteve të tregut ishte tjetër koncesion që kishte në kontroll biznesmeni i familjes dhe i qeverisë Berisha, miku dhe ortaku i ministrit Ridvan Bode. Nuk kishte të drejtë asnjë firmë tjetër të operojë me pulla fiskale në tregun shqiptar, përveç Samir Manes, i cili prej këtij koncesion biznesi përfitoi afro 15 milion euro në vit. Vendimi u mor nga Berisha dhe Bode vetëm për mikun e familjes Samir Mane. Pa dyshime që këto monopole do të shkatërrohen në fillim të vjeshtës dhe klientët e Berishës do të japin llogari për pasurinë që kanë bërë në kurriz të taksapaguesve dhe qytetarëve shqiptarë.
Favorizimet që i ka bërë Edi Rama
Por edhe sot që jemi në 2025, asgjë nuk ka ndryshuar. I vetmi ndryshim është se Samir Mane nga klient i Sali Berishës, kaloi te Edi Rama. Kryeministri është kujdesur që gjatë këtyre 12 viteve pushtet, njësoj si Berisha, të vendosë shtetin në shërbim të bizneseve të Samir Manes, që në fund një pjesë e parave të shkojë në xhepin e tij. Qeveria ka punuar në prapaskenë që çdo dëshirë e tij të plotësohet dhe pronat e tij të shtoheshin. Samir Mane ka gllabëruar tenderë me vlera marramendëse, ka përfituar prona gjigante në zona të lakmueshme në bregdet, ka futur duart në pasuritë e Shqipërisë, madje është investitor strategjik me firmën e Ramës. Samir Mane është më i përkëdheluri nga ligjet e bëra apostafat nga kryeministri. Janë krijuar projekte në mënyrë që bizneset e tij të lulëzonin edhe më shumë. Rama fal pasuritë e shqiptarëve për interesat e Samir Manes dhe në fund ata pasurohen, ndërsa populli varfërohet.
Tuneli i Llogarasë dhe Porti i Vlorës
Po e nisim me aferën e tunelit të Llogarasë, dosje e cila ndodhet në tryezën e SPAK. I gjatë afro 6 km, tuneli nis nga Ura e Shën Elizës dhe përfundon te Ura e Palasës, duke kaluar përmes Qafës së Llogarasë. Ky është një nga projektet më të debatuara, për shkak të mungesës së konsultimit publik si dhe për shërbimin që pritet t‘i ofrojë realisht shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por ky është tuneli më i kushtueshëm në Evropë. 65 mijë euro për frymë të cilën nuk e ndërton as shteti më i pasur në botë. Fillimisht ndërtimi iu dha me tender kompanisë që kërkoi më shumë para, në garën e hapur nga Ministria e Infrastrukturës. Një bashkim i dy kompanive turke, përfituan 170 milion dollarë për këtë projekt, teksa më herët u shpenzuan 7.5 milionë euro për studimin e fizibilitetit.
Përveç se aty del se ka grabitje të madhe, ky tunel më shumë se shqiptarëve të varfër, do t‘i shërbejë oligarkut Samir Mane, për të dërguar në fshatin e tij turistik sa më shumë turistë. Në fund të majës së Llogarasë, pranë Urës së Palasës aty ku del edhe tuneli, Mane ka ndërtuar tashmë prej vitesh një seri vilash private. Fshati nuk quhet më Palasë, por fshati i Manes, pasi vilat po zgjerohen përgjatë vijës bregdetare. Gjithashtu, Rama me firmën e tij i ka dhënë oligarkut Samir Mane benefite shumë të mëdha, duke përdorur ligjin kontravers të miratuar me debate në vitin 2015, i cili i lejon qeverisë, përmes një komiteti që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas. Kompanitë e Samir Manes kanë marrë disa statuse investitori strategjik.
Janë 5 vendime që janë për kompanitë e Manes, si Green Coast, Green Coast 1 dhe 2, si dhe dy projekte në Gjirin e Lalzit, Neë Bord dhe Vala Mare. Në të gjitha vendimet thuhet se pronësia e tokës është private dhe publike, si dhe janë vendosur nga shteti shqiptar për Samir Manen mijëra metra katrorë plazh në përdorim. Qeveria i transferoi kundrejt çmimit simbolik 57 mijë metra katrorë tokë në Gjirin e Vlorës oligarkut, pa përftime në dukje për publikun dhe shtetin, por kjo kontratë është e mbushur me favorizime për Mane dhe e blinduar në nenet e saj me gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit në rast konfliktesh.
Shteti në shërbim të Samir Manes
Jo vetëm kaq, Edi Rama investoi paratë publike, pra të taksapaguesve shqiptarë në ndërtimin e një piste helikopterësh, një moli jahtesh, hangar për avion privat dhe shërbimesh të tjera mbështetëse pranë resortit luksoz “Green Coast” në Palasë dhe sipas investigimit që ata bënë institucionet shtetërore bënë një sy qorr ndaj dëmtimit të monumentit të natyrës. Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), i drejtuar nga Rama, në mbledhjen e datës 28 Dhjetor 2022, miratoi vendimin për “Leje Ndërtimi për objektin: “Hangar për avion privat në Aeroportin “Nënë Tereza”, me vendndodhje në Bashkinë Krujë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Balfin-Balkan Finance Investment Group sh.p.k”. Kjo do të thotë se oligarku ka aq të ardhura sa t’i lejojë vetes edhe blerjen e një avioni privat. Por, për “parkimin” e avionit kërkohej një leje tejet specifike, të cilën mund ta jepte vetëm Edi Rama. E natyrisht, kryeministri nuk lëkundet asnjëherë në vendimmarrjet pro Samir Manes. Rama ka miratuar lejen përkatëse, që Mane të parkojë në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.
Ndryshimi i hartave dhe ligjeve
Një shembull edhe më flagrant i vendosjes së shtetit në shërbim të oligarkut mbërrin nga Tirana. Qeveria dy vite më parë është investuar për të ndryshuar hartën administrative territoriale në mënyrë që Samir Mane të shmangte taksat e Bashkisë së Tiranës për ndërtimet e reja. Bëhet fjalë për kompleksin e ndërtimeve që Samir Mane po ngre pranë QTU-së. Deri para nisjes së këtyre ndërtimeve, trualli ishte nën juridiksionin territorial të Bashkisë së Tiranës. Por, për të paguar më pak taksa në infrastrukturë dhe lejen e ndërtimit, përfshirë këtu edhe për të shmangur rregullin e detyrimit të garazheve dhe kateve nëntokë, Samir Mane siç duket ka lobuar në qeveri që këtë truall t’ia kalojë Bashkisë së Kamzës.
Kështu ka ndodhur. Edi Rama është vënën në lëvizje dhe me një seri shkresash e vendimesh ka kaluar këtë truall në varësinë e Bashkisë së Kamzës, duke i kursyer oligarkut Mane një shumë të mirë parash, që duhet të paguante si detyrime në rast se do të aplikonte për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, qeveria vuri shtetin në shërbim të Manes dhe në kohën kur ai mori në drejtim biznesin e minierave në Bulqizë. Njësoj si Berisha, Rama për Manen miratoi ligje që hoqën taksën për mineralet e përpunuara dhe në fund Mane shiti Albchrome tek grupi turk Yildirim, me një çmim më të mirë për faktin se kompania blerëse do të punonte dy vjet pa taksa vetëm nga favorizimi që bëri qeveria. Jo vetëm kaq, Edi Rama i ka hapur rrugë oligarkut të operojë dhe në tregjet bankare, shqiptare dhe të huaja, ku theksojmë së fundmi se ai ka marrë kredi për të investuar në fshatin e tij turistik duke ngritur të tjera vila.